OBT u kërkon vendeve anëtare të shmangin rritjen e barrierave tregtare
Gjenevë, 6 mars - Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) Roberto Azevedo u bëri thirrje vendeve anëtare të shmangin rritjen e shpejtë të barrierave tregtare ndërkombëtare.
Deklarata e tij erdhi si përgjigje ndaj një sërë njoftimesh të ditëve të fundit nga anëtarët e organizatës të cilët sugjerojnë vendosjen e barrierave të reja tregtare të njëanshme.
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, njoftoi të enjten planin për vendosjen e tarifave prej 25 për qind mbi çelikun e importuar si dhe 10 për qind mbi aluminin e importuar, që sipas tij do të hyjnë në fuqi këtë javë.
Vendimi i Trump-it është kritikuar në mbarë botën përfshi qëndrimet kundër të disa nga aleatëve më të afërt të Amerikës.
Kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se plani i Trump-it do të ketë pasoja serioze për ekonomitë e dy vendeve.