Obama, i përqendruar në krijimin e vendeve të punës
Washington, 11 shtator - Presidenti Barak Obama tha se gjithë programi i tij është i përqëndruar në nxitjen e ekonomisë amerikane dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Ai pranoi faktin se Shtetet e Bashkuara kanë bërë përparim të ngadaltë në mëkëmbjen nga kriza duke lënë miliona të papunë, të zemëruar dhe të pashpresë.
Duke folur sot në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, zoti Obama tha se politikat e tij janë përqëndruar për të ndihmuar klasën e mesme.
Ai i akuzoi republikanët e opozitës duke thënë se favorizojnë të pasurit dhe se kërkojnë kthimin tek politikat që shkaktuan krizën.
Anketat tregojnë se shumica demokrate në Kongres përballet me humbje të mëdha në zgjedhjet e nëntorit.
Në deklaratat e tij, zoti Obama i portretizoi demokratët si luftëtarë për klasën e mesme dhe republikanët si mbrojtës të milionerëve dhe interesave të veçanta.
Por ai shtoi se e kupton që shumë votues mund të fajësojnë vetë presidentin për rimëkëmbjen e dobët ekonomike.