OAK dhe delegacioni nga Kongo diskutojnë mundësitë e eksportit të produkteve të Kosovës
Prishtinë, 13 qershor - Udhëheqësit e Odës së Afarizmit të Kosovës pritën në një takim njoftues delegacionin e bizneseve nga Kongo, me të cilët u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit të bizneseve të të dyja vendeve dhe potencialet e eksportit të produkteve tona në shtetin e Kongos.
Anëtarët e bordit të OAK-së Diamant Elshani dhe Hamdi Malushaj shpalosën para delegacionit potencialet e bizneseve të Kosovës dhe fushat në të cilat kanë fokus më të madh për të eksportuar, duke theksuar që bizneset në vendin tonë funksionojnë me teknologjinë më të fundit dhe kryesisht gjermane, duke prodhuar produkte shumë cilësore të cilat përmbushin të gjitha kriteret sipas standareve. Andaj, potenciali dhe interesi i bizneseve për të eksportuar është më se evident.
Në këtë mes OAK po e shtyen shtetin e Kosovës që të investojë edhe më shumë në ofrimin e standardeve për produktet që prodhohen në Kosovë, duke u krijuar kushte sa më të mira për licencim të produkteve vendore.
Delegacioni nga Kinshasa, Kongo udhëhequr nga Larousse Kabula Mavula Kisalu njëherit edhe Guvernator i provincës në Kongo, theksoi që janë shumë të interesuar që të bashkëpunojnë me bizneset e Kosovës, pasiqë kanë nevojë për shumë produkte dhe lëndë të parë të cilat i importojnë nga vendet e tjera si: India, Kina, Turqia, por që janë të interesuar për të bashkëpunuar edhe me vendet e tjera. Për më tepër qeveria në Kongo ka lehtësuar shumë të bërit biznes dhe është e hapur për të mirëpritur investitorët e jashtëm. Si sektore më me potencial u veçuan agrikultura, industria e energjisë, plastika, hekuri etj.
Gjatë këtij takimi, gjithashtu u shkëmbyen ide për bashkëpunim nga të dy palët, duke e konsideruar si një takim shumë konstruktiv drejt zgjerimit të tregjeve për bizneset e Kosovës dhe gatishmërinë për investime të dy anshme.
Për më tepër Republika Demokratike e Kongos, e njohur edhe si DR Congo apo DROC, është një vend i vendosur në Afrikën Qendrore, me kryeqytet Kinshasa dhe një popullsi prej 81.34 milion banorë, që gjuhë zyrtare kanë gjuhën frënge.
Në këtë takim OAK u përfaqësua nga: Sekretari i bordit Diamant Elshani, Arkatari i bordit Hamdi Malushaj, Koordinatoria Qendresa Ibrahimi dhe bashkëpunëtori Muhamer Ibrahimi.
Kurse delegacioni nga Kongo u përfaqësua nga: Kasereka Ziby, Nicaise Samafu, Larousse Kabula Mavula Kisalu, Fabrice Lubala, Francis Lalong M Voyo Mbolifu Liande.