Nuk ka kufizim të mallrave Kosovë - Shqipëri
Prishtinë, 12 mars - Nuk ka kurrfarë pengese dhe as kufizim sa i përket qarkullimit të mallrave ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, kanë bërë të ditur sot Ministri i Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi, gjatë takimit të sotëm në Ministrinë e Financave.
Gjatë këtij takimit gjithashtu u diskutua edhe për intensifikimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, me fokus të veçantë në zhvillimin e terminalit doganor të Kosovës në Durrës.
Ministria e Financave dhe Transfereve ka bërë një analizë të zbatimit të marrëveshjeve të deritanishme në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, që bien në fushëveprimtarinë e kësaj Ministrie, për të shikuar hapat që duhet të ndërmerren në të ardhmen për realizimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve.