Nuk do të ketë mungesë të mallrave
Prishtinë, 29 korrik - Biznesmeni dhe pronari i kompanisë Elkos Group, Ramiz Kelmendi, e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, e cila i ka vënë masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.
Sipas tij, me këtë vendim Qeveria e Kosovës është vonuar. Ky vendim, sipas Kelmendit, do të hapë shtigje të reja të bashkëpunimit ekonomik me shtete të tjera.
Në një intervistë për Epokën e re, Kelmendi është shprehur se biznesi i tij nuk ka importuar më shumë se 5 për qind nga Serbia, me gjithë proklamimet se ka më shumë import.
Pas vendimit të Qeverisë, ai është duke shikuar se nga cilat shtete do të importojë produkte që do ti zëvendësojnë ato serbe, të cilat qytetarët e Kosovës i kanë blerë për më shumë se 10 vjet që nga paslufta.
Ai ka deklaruar se çmimet, pas ndalesës që ua ka bërë Kosova produkteve të Serbisë, mund të ngrihen me një përqindje të vogël për shkak të doganës, sepse tani disa mallra duhen blerë në vendet që nuk janë pjesë e CEFTA-s.