Nisë projekti për asistencë në zbatimin e MSA-së
Projekti do të rrisë kapacitetin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, që të transpozojë dhe të zbatojë me sukses Direktivën e Shërbimeve të BE-së në tregun e brendshëm në Kosovë.
Dispozitat e Direktivës synojnë të thjeshtojnë procedurat administrative, të largojnë pengesat për aktivitete të shërbimeve, si dhe të shtojnë besimin reciprok midis shteteve anëtare, po ashtu edhe mirëbesimin e ofruesve dhe konsumatorëve në tregun e brendshëm.
Në fjalën e saj, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, foli për mundësitë që ofrohen nga MSA-ja për ekonominë e Kosovës. Ajo potencoi se Qeveria e Kosovës po krijon mekanizma konkret për zbatimin e suksesshëm të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim.
Më tej ajo tha: Projekti të cilin po e lansojmë sot është tepër i rëndësishëm për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, mirëpo është i rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Ajo theksoi se bilanci tregtar i shërbimeve, në vitin e kaluar, ishte 1 miliard e 211 milionë euro, prej të cilave kishim 435 milionë euro importe të shërbimeve dhe 775 milionë euro kishim eksport të shërbimeve, që tregon se është një sektor me shumë potencial për tu zhvilluar dhe se me të gjithë mekanizmat dhe me përafrimin e legjislacionit me të BE-së do të nxitet ky sektor që të zhvillohet edhe më tutje.
Ministrja Bajrami, përmes kësaj konference i bëri thirrje edhe njëherë Bashkimit Evropian dhe partnerëve tjerë që të na mbështesin në rrugën e liberalizimit të vizave.
Ajo përmendi edhe mundësitë e shërbimeve që mund të ofrohen online dhe në forma të tjera, siç mund të jenë sektori i ndërtimtarisë ose edhe sektorë të tjerë të shërbimeve të cilët janë të mundshëm të eksportohen vetëm me lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe punëtorëve të Kosovës në tregjet evropiane.
Ministrja Bajrami falënderoi Zyrën e BE-së në Prishtinë, që brenda një jave ka mbështetur lansimin e dy projekteve në vlerë mbi 3 milionë eurosh dhe me përkrahje të ekipeve me ekspertë profesionalë do të punohet bashkërisht me stafin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në ngritjen e kapaciteteve, ku pas përfundimit të projekteve ne të jemi në gjendje që të mund tu ofrojmë kompanive këto shërbime.