Nikaj: MTI e përkushtuar për tërheqjen e investime të huaja
Prishtinë, 28 maj - Organizuar nga EEL Event, të mërkurën në Prishtinë është mbajtur Forumi Investo në Kosovë 2014. Ky forum ka për qëllim vetëdijesimin për mundësitë e investimit në Kosovë, duke theksuar sfidat dhe pengesat eventuale me të cilat ballafaqohen investitorët dhe operatorët në sektorë të industrisë: ambienti dhe energjia, infrastruktura rrugore, duke përfshirë transportin rrugor, hekurudhor dhe ajror, telekomin, patundshmëritë dhe partneritetet publike dhe private.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj, theksoi se çështja e investimeve, çështja e ekonomisë, ka qenë në ballë të diskutimeve në Kosovë për një kohë të gjatë.
Nikaj e ka vlerësuar lartë këtë organizim, duke thënë se kjo tregon që ambienti i biznesit në Kosovë ka filluar të ketë edhe interesimin e atyre të cilët nuk merren me politikë.
Ju e dini që Qeveria e Kosovës, posaçërisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, me seriozitet të madh ka ndërmarrë reformat për adresimin e barrierave administrative dhe pengesave të tjera me të cilat ballafaqohen investitorët gjatë operimit të tyre në Kosovë, ka thënë ministri Nikaj, duke shtuar se janë reformuar plotësisht të gjitha ligjet dhe rregullativat që kanë të bëjnë me fillimin dhe operimin e bizneseve të huaja dhe vendore në Kosovë.
Ai theksoi që në vitin 2012 për shkak të ndryshimeve që janë bërë posaçërisht për mbrojtjen e investimeve, është lëvizur për 72 vende në raportin e Bankës Botërore të të bërit biznes.
Në përgjithësi, gjatë dy viteve të fundit Kosova ka lëvizur 40 vende duke tejkaluar kështu shumicën e vendeve të rajonit, të cilat kanë filluar këto reforma shumë më herët se sa ne. Kjo tregon për përkushtimin e institucioneve vendore që të tërheqim investime të huaja dhe ti aktivizojmë potencialet vendore për zhvillim ekonomik, ka thënë Nikaj.
Për më tepër, Nikaj theksoi se përtej barrës administrative të të bërit biznes, Kosova ka vazhduar me procesin e integrimeve jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Ne kemi funksionalizuar CEFTA-në për herë të parë që të jetë në funksion të prodhimit vendor dhe të ekonomisë vendore, si dhe kemi ndërmarrë hapin e parë drejt integrimeve evropiane- negocimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, tha ai ndër të tjera, duke shtuar se kjo marrëveshje në esencë përfshin rreth 80 % të marrëveshjes së tregtisë së lirë me të cilën është siguruar që bizneset që operojnë në Kosovë, si ato vendore apo ndërkombëtare, të kenë qasje të garantuar në tregun e Bashkimit Evropian, me kushte shumë të mira.
Petrit Selimi, Zëvendësministër i Punëve të Jashtme, duke iu referuar faktit se Kosova njihet nga 106 vende të Kombeve të Bashkuara, pra shumica e vendeve të OKB-së, ka theksuar se edhe pse disa prej vendeve nuk e njohin Kosovën, ato i njohin dokumentet, vulat e doganave dhe pasaportat.
Edhe pse pesë anëtarë të BE-së nuk e njohin, ne kemi marrëdhënie pothuajse me të gjithë prej atyre, ngjashëm kemi pasur vizita dhe marrëdhënie këmbimi me Kinën me disa vende të tjera që nuk na kanë njohur, ka thënë Zëvendësministri i MPJ-së. Selimi po ashtu foli për rritjen e vazhdueshme ekonomike në Kosovë në gjashtë vjetët e fundit, dhe aspekte të tjera të rëndësishme që lidhen me këto procese.
Salvador Elmazi, Këshilltar për Ekonomi i Ministrit Fadil Ismajli tha se kjo Ministri mbetet e zotuar që të punojë gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm me akterët ekonomik, duke e shtyrë përpara gjendjen zhvillimore të Kosovës.
Ndërkaq, Valdrin Lluka, Drejtor i përgjithshëm i Agjencisë për Përkrahjen e Investimeve dhe Ndërmarrjeve në Kosovë, prezantoi në detaje të dhënat për ekonominë e Kosovës dhe investimet e huaja direkte.