Ngritja e çmimit të bukës në 40 cent, reagon BSPK
Me këtë rast Bashkimi i sindikatave të pavarura të Kosovës (BSPK) shpreh shqetësimin e vet dhe reagon ashpër për këtë dukuri e cila direkt atakon popullatën e Kosovës e sidomos shtresën e cila jeton në varfëri të skajshme.
Rritja e këtyre çmimeve e rrezikon standardin e më shumë se 70% të popullatës.
Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi ka deklaruar se BSPK-ja kërkon nga Qeveria e Kosovës që të intervenojë me mjete të nevojshme në mënyrë që çmimi i bukës të mos ngritet dhe të bëhet i papërballueshëm për shumicën e punëtorëve dhe qytetarëve të Kosovës.
Përderisa konsiderohet, se shtrenjtimi i bukës është i papërballueshëm, furrtarët këtë veprim e arsyetojnë me rritjen e çmimit të grurit dhe miellit në tregun botëror, ka thënë Arifi.
BSPK-ja gjithashtu sipas tij kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që përmes lehtësimeve të ndryshme tu ndihmojë furrtarëve dhe atyre që e bëjnë furnizimin me miell në mënyrë që të mbahet nën kontrollë ngritja e çmimit të këtij artikulli. Ndryshe grevat do të jenë të pashmangshme!
Edhe kryetari i sindikatës së bujqve, Tahir Tahiri, thotë se rritja e çmimit të bukës vjen edhe si pasojë e rendimenteve tepër të ulëta të prodhimtarisë së grurit në Kosovë.
Tahiri, thotë se Qeveria është dashur të intervenojë me mjete financiare dhe forma tjera, si heqja e TVSH-së, lirimi i naftës për furrtarët, si dhe krijimi i rezervave shtetërore të drithërave, në mënyrë që të pengohej ngritja e çmimeve.