Nënshkruhet marrëveshja për implementimin e projektit Ndihmë Tregtisë

Prishtinë, 14 shtator - Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, Besian Mustafa, bashkë me Zëvendës përfaqësuesen e Përhershme të UNDP-së, Alessandra Roccasalvo, sot kanë nënshkruar marrëveshjen për implementimin e projektit \"Ndihmë Tregtisë\" në Kosovë.
Në fjalën hyrëse, Besian Mustafa, drejtor i Përgjithshëm i KIESA-s, e ka cilësuar këtë projekt me rëndësi pasi në fokus të veçantë e ka zhvillimin ekonomik të Kosovës. Në këtë rast marrëveshja ka rëndësi në aspektin e tregtisë, por edhe në promovimin e investimeve, eksportit, turizmit, zhvillimin e NVM-ve dhe Zonave ekonomike, po ashtu parasheh mundësimin e punës praktike për rreth 150 studentë nëpër ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme.
Bashkëpunimin në mes MTI-së dhe UNDP-së, për programin ndihmë tregtisë, do të përqendrohet në intership, punë praktike për studentët e diplomuar në NVM-të kosovare. Po ashtu, aktivitete tjera që përfshihen në këtë marrëveshje janë edhe azhurnimi dhe zgjerimi i materialeve promovuese, qofshin për investime eksport dhe turizëm njëkohësisht edhe për NVM-të dhe zona ekonomike. Njëherësh në marrëveshje përfshihet edhe asistenca teknike për të ndihmuar stafin e KIESA-s që të ofrojë një shërbim më cilësor ndaj NVM-ve kosovare dhe ndaj biznesve kosovare, me qëllim final që të mbështesin sektorin privat drejt një zhvillimi socio- ekonomik të Kosovës, ka deklaruar Mustafa.
Ndërsa, Zëvendës Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së, Alessandra Roccasalvo tha se projekti në fjalë ka për qëllim kryesor përkrahjen e MTI-së për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në Kosovë.
Vlerësoj se është bërë punë mjaft e mirë në këtë drejtim duke iu ofruar praktikantëve vende të punës për të fituar përvojë dhe lehtësuar mundësin për tu punësuar si dhe premtoj se ky bashkëpunim do të vazhdojë në të ardhmen me shpresë se do ti ndihmojë jo vetëm MTI-së, por edhe ekonomisë së Kosovës në përgjithësi, theksoi Roccasalvo.
Projekti Ndihmë Tregtisë, është duke u implementuar që nga viti 2012 dhe ka për qëllim nxitjen e rritjes së qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ekonomike, përmes promovimit të tregtisë dhe rritjes së konkurrueshmërisë së Kosovës.