Nënshkruhet marrëveshja e parë Qeveria-Qeverisë

Prishtinë, 25 shtator - Drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë, Maureen A. Shauket dhe Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova sot e kanë nënshkruar Marrëveshjen e Parë Qeveria-Qeverisë (G2G), ku do të përfshihen institucionet e Kosovës si partnerë të drejtë për drejtë në projektet e USAID-it për asistencë.
Marrëveshja për Rimbursimin e Shumës Fikse (FARA) paraqet marrëveshjen e parë të këtij lloji në Kosovë dhe po ashtu paraqet ndryshim në proceset dhe strategjinë e ofrimit të asistencës së USAID-it në Kosovë.
Përmes Marrëveshjes në fjalë, Misioni i USAID-it në Kosovë do të mbështesë ndërtimin e çerdhes së re dhe më të madhe në fshatin Banjë.
Po ashtu, është me rëndësi të ceket që kjo komunë do të përfitojë nga asistenca teknike dhe menaxheriale gjatë procesit të prokurimit dhe ndërtimit si dhe nga proceset ambientaliste që kanë të bëjnë me projektin e çerdhes, përvojë kjo e cila do të duhej të forconte kapacitetin e komunës për të ofruar shërbime më të mira për qytetarë.
Përmes këtij projekti, komuna do të demonstrojë aftësinë e vet për të qeverisur në mënyrë efikase, demokratike dhe transparente.
Përzgjedhja e Komunës së Istogut si komunë e parë e cila po bëhet partnere e USAID-it në kuadër të Marrëveshjes për Rimbursimin e Shumës Fikse paraqet mirënjohje për liderët e kësaj komune dhe për qytetarët e saj. Kjo Marrëveshje paraqet mirënjohje për kualitetin e qeverisjes lokale dhe për përgjegjësinë qytetare. Përgëzoj gjithë komunitetin e kësaj komune, theksoi Drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë, Maureen A. Shauket.
Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ofron ndihmë ekonomike dhe humanitare në mbarë botën për më shumë se 50 vite.