Nën administratën Trump rrezikohet tregtia e lirë
Washington, 20 nëntor - Tregtia e lirë, me kufizime të pakta dhe tarifa të ulëta, mund të rrezikohet gjatë administratës së re Trump.
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë në Transpaqësor ka ngecur tashmë në Kongres. Marrëveshja NAFTA për tregtinë e lirë në Amerikën e Veriut, e arritur në vitin 1994 mund të rinegociohet dhe partnerët evropianë të Washingtonit frikësohen edhe për Marrëveshjen e Partneritetit Transatlantik për Tregtinë dhe Investimet.
Analistët fajësojnë retorikën proteksioniste gjatë fushatës zgjedhore që rriti ndjenjat kundër tregtisë së lirë.
Ka ngecur Marrëveshja Transpaqësor (TTIP) e nënshkruar ndërmjet 12 vendeve që përfaqësojnë rreth 40% të prodhimit ekonomik botëror. Nën administratën e re Trump, partnerët evropianë frikësohen se një marrëveshja e ngjashme me SHBA-në do të ketë të njëjtin fat.
Nuk dimë se çfarë do të ndodhë. Ka arsye të forta për të besuar se do të pezullohet marrëveshja TTIP, pasi nuk do të jetë prioriteti më i madh për administratën e re, thotë Komisionerja e BE për Tregtinë, Cecilia Malmstrom.
Gjatë fushatës zgjedhore, presidenti i zgjedhur Donald Trump tha se do të heqë marrëveshjet e këqija, si NAFTA, të cilën ai e fajëson për humbjen e miliona vendeve të punës për amerikanët. Por, megjithë mangësitë e saj, analistët thonë se marrëveshja NAFTA krijoi një zinxhir furnizimi në kontinentin amerikan që e shndërroi industrinë amerikane të automobilëve ndër më konkurrentet në botë.
Nëse kjo marrëdhënie do të ndërpritet, mund të ketë pasoja serioze. Nuk është e qartë për mua se si do të ndikojë për rikthimin e vendeve të punës në industrinë amerikane të automobilëve, thotë William Galston i Institutit Brookings.
Anulimi i marrëveshjeve tregtare, në veçanti me Azinë, është një mundësi e humbur, thonë analistët.
Ka tashmë shqetësime në Azi rreth qëndrueshmërisë së aleancës me Shtetet e Bashkuara. Është e qartë se zgjedhja e zotit Trump do ta shtojë këtë frikë. Mendoj se gjithashtu do të ketë një rënie të ndjeshme të influencës amerikane në Azi, thotë Jeff Kingston i Universitetit Temple në Japoni.
Përkundër zotimeve të zotit Trump për rritjen e tarifave për mallrat kineze, Pekini ka paralajmëruar për një luftë të mundshme tregtare, duke aluduar se Kina mund të anullojë blerjen e avionëve amerikanë ose mund të vendosë rregulla më të forta për kompanitë amerikane që ndodhen në Kinë.
Mendoj se është e tepruar ideja se vetëm ne mund të kërcënojmë Kinën dhe se ajo nuk mund të përgjigjet njësoj, thotë William Galston i Institutit Brookings.
Zoti Galston paralajmëron se kinezët mund të mbushin boshllëkun për të udhëhequr në Azinë Lindore dhe se kjo nuk do të ketë rezultate të pëlqyeshme për SHBA-në. Kina, e cila është ekonomia e dytë më e madhe e botës, po lëviz me shpejtësi për të mbushur këtë vakum, duke propozuar krijimin e një zone të tregtisë së lirë gjatë Samitit Ekonomik Azi-Paqësor që po mbahet në Peru.