Në Graçanicë formohet Asociacioni i Ndërmarrësve Serbë
Graçanicë, 29 maj - Asociacioni i Ndërmarrësve Serbë,është formuar sot në Graçanicë. Ai ka për qëllim të pasqyrojë sfidat me të cilat përballen Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM) të komuniteti minoritarë, si dhe ofrimi i mundësisë për integrim efektiv të tyre në mjedisin e biznesit kosovar.
Në këtë ngjarje me rëndësi për afarizmin morën pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, përfaqësues të komunitetit të biznesit, si dhe afaristë të ndryshëm.
Në fjalimin e saj, zv/kryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, tha: Unë e kam të qartë se bota e biznesit dhe politikës janë të ndryshme nga njëra tjetra. Shpesh biznesi dhe zhvillimi ekonomik janë zgjidhjet më të mira për të tejkaluar sfidat politike. Ndërmarrësit mund të jenë të suksesshëm në biznes ku nuk është e rëndësishme se çfarë etnie i përkasin, theksoi Kusari-Lila, duke shtuar se Qeveria e Kosovës ka si qëllim mbështetjen dhe përmirësimin e situatës sociale dhe ekonomike të minoriteteve në Kosovë. Ne po implementojmë politika për përmirësimin e kushteve të jetesës për të gjithë qytetarët tanë përfshirë edhe në zonat e minoriteteve në Kosovë.
Rreth kësaj nisme, Kusari-Lila potencoi se ne jemi duke u përpjekur që ti ndihmojmë bizneset në qasje në financa. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) së bashku me Bashkimin Evropian, përmes fondeve të IPA-s kanë siguruar 4 milionë euro (3 milionë BE dhe 1 milionë MTI), do të ofrojnë grante për bizneset mikro, të vogla dhe të mesme. Grantet për mikro do të jenë 5-25 mijë, kurse ato për NVM nga 25-200 mijë euro.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përkrahë zhvillimin e sektorit privat për ta përmirësuar klimën e të bërit biznes dhe për të mundësuar qasje të lehtë dhe thjeshtëzim të procedurave për fillimin e biznesit. Po ashtu, MTI ofron këshilla dhe përkrahjes për bizneset në përgjithësi.
Reforma e të bërit biznes, të ndërmarra nga MTI-ja, po plotësohen dita-ditës me politika të promovimit të investimeve dhe të NVM-ve dhe se këto reforma janë duke e mbështetur zhvillimin e sektorit privat në përgjithësi në Kosovë.