Në Gjermani mbahet konferenca për investimet në Kosovë
Berlin, 6 mars - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Gjermani ku do të marrë pjesë në Konferencën për Investime në Kosovë që do të mbahet në Berlin me 7 mars 2012.
Në këtë konferencë Beqaj do të paraqitet me një fjalë rasti në sesionin Zhvillimet politike, biznesi dhe klima investive në Kosovë, ku do të prezantojë masat që ka ndërmarrë qeveria për të stimuluar investimet e huaja direkte në vend.
Në kuadër të kësaj vizite, ministri Beqaj do të takohet me Ministrin federal për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, Dirk Niebel me të cilin do të diskutojë mbi projektet që MZHE është duke zhvilluar dhe bashkëpunimin bilateral mes dy vendeve.
Ndryshe në konferencën për investime në Berlin do të marrin pjesë edhe zv.kryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari, presidenti i Forumit Ekonomik të Vjenës, Erhard Busek, kryesuesi i Konferncës së Sigurisë në Munih - Wolfgang Ischinger etj.