Ndërmarrjet kosovare globalisht konkuruese
Prishtinë, 10 gusht - Agjencitë e specializuara dhe institucionet qëndrore sot, nënshkruan një memorandum të mirëkuptimit për realizimin e Javës së Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM).
Nën drejtimin e Agjencisë për Mbështetjen e NVM-ve në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, institucionet të tjera të cilat do të kontribuojnë në organizimin e kësaj jave të rëndësishme për promovimin e ndërrmarjeve dhe ndërmarrësisë në Kosovë janë: Trusti pensional, Administrata tatimore, Doganat, si dhe Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, si dhe Agjencitë për Zhvillim Rajonal Qendër-Lindje-Veri-Jug dhe Perëndim.
Para nënshkrimit të memorandumit Zv. Kryeministrja/ ministrja e Tregtisë dhe Industrisë znj. Mimoza Kusari Lila, u shpreh se Kosova është duke kaluar nëpër një fazë dinamike të zhvillimit, ku prej marrjes së mandatit qeverisës është theksuar agjenda zhvillimore, pasi pa një zhvillimim të qëndrueshëm nuk mund të kemi as një shtet të qëndrueshëm, prandaj ndërmarjet e vogla dhe të mesme si bartëse të këtij zhvillimi janë esenciale.
Java e NVM në muajin tetor do të shënoj një sensibilizimin të përgjithsshëm, jo vetëm tek bizneset, por në të gjitha strukturat shoqërore, duke filluar prej nxënësve të shkollave fillore deri te studentët në universitet, të cilët do të dinë dhe kuptojnë rëndësinë e operimit të një ndërmarje të vogël, me të cilin vendosë një gurë në murin e zhvillimit të ardhshëm të Kosovës tha Zv. Kryeministrja Kusari Lila.
Në anën të tjetër Soren Hjorth, drejtues i projektit EU SME në përkrahje të Agjencisë për NVM-të tha: Arsyeja përse jemi mbledhur sot është se të gjitha institucionet vendore dhe donatorët duhet të bashkohemi për të përkrahur sektorin e NVM-ve, në mënyrë që të mbulojmë gjithë territorin e Kosovës.
Ndërsa Granit Berisha kryeshefi i Agjencisë të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, e përgëzoi bashkëpunimin shumë palësh të këtij memorandumi i cili do të kontribuojë në jetësimin e slloganit: NVM-të kosovare globalisht konkuruese.
Ai po ashtu rikujtoi rëndësinë e strategjisë për zhvillimin e NVM-ve, e cila është miratuar nga Qeveria e Kosovës muajin e kaluar, duke vënë theks të veçantë se implementimi i kësaj strategjie është thelbësor për zhvillimin e këtij sektori.
Java e NVM-ve do të mbahet prej 3 deri më 9 tetor 2011 dhe do të ketë si ngjarje më të rëndësishme: promovimin e ideve më të mira për biznes, si dhe shpërblimin e NVM-ve më të mira të vitit 2011. Aktivitete tjera që do të organizohen gjatë javës janë konferenca rajonale Integrimi në BE përmes zhvillimit të NVM-ve, panairi i prodhimit kosovar, dhe konferencat e promovimit të konkurrueshmërisë në të gjitha rajonet e Kosovës.
Java e NVM-ve ka për qëllim të promovojë ndërmarrësinë, sidomos ndër të rinjtë, si mundësi karriere, si dhe të vlerësojë ato kompani të cilat krijojnë vende pune, gjenerojnë prodhim, paguajnë taksat, sjellin risi në treg dhe kanë qasje me përgjegjësi sociale. Meqenëse NVM-të përbëjnë 99% e ndërmarrjeve në Kosovë ato janë shumë të rëndësishme edhe për zhvillimin ekonomik. E rëndësishme po ashtu është edhe zhvillimi dhe krijimi i ndërmarrjeve më konkurrente të cilat mund të prodhojnë mallra që mund të konkurrojnë me prodhimet e importuara dhe të konkurrojnë në rrafshin ndërkombëtar.