Naftëtarët kërkojnë që kontrolli i naftës të bëhet në kufi
Prishtinë, 10 nëntor - Shoqata e naftëtarëve të Kosovës gjatë takimit me naftëtarët ka kërkuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që kontrolli i derivateve për cilësi të bëhet në kufi, e jo nëpër pompa.
Shoqata dhe naftarët po ashtu kanë kërkuar që licencat e tyre që tash lëshohen për një periudhë kohore prej 2 viteve, të jenë 10-vjeçare dhe më vonë të përhershme dhe tarifat për pagesë të licencës të jenë si në regjion.
Naftëtarët kosovarë kanë shprehur shqetësim edhe për ngritjen e akcizës për gazra, ku kanë theksuar se çmimi prej 1,000 eurove është i lartë për mbulojë të pikave, duke kërkuar zbritje dhe lehtësime.
Po ashtu naftëtarët kanë kërkuar nga Ministria e Financave që sa më shpejt të licencohet operatori i ri për fiskalizimin e pikave të shitjes së karburanteve.
Gjithashtu naftëtarët kërkojnë që sigurimi i deponive të karburanteve nga 1 euro të zbritet në 20.centë. Ndërsa, për kyçje në rrugë ata kërkojnë që pagesa të bëhet vetëm njëherë kur të merret pëlqimi për lejen e ndërtimit.