Nafta, rriten çmimet në bursë
Vjenë, 6 janar - Çmimet e naftës në bursë kanë pasur një trend jo të qëndrueshëm gjatë javëve të fundit, kjo e ndikuar gjithmonë nga nismat politike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe vendeve të Lindjes.
Në fakt, një impakt i zhvillimeve është pasqyruar direkt në bursën e Londrës, së cilës i referohet edhe Shqipëria sa i përket importit të karburanteve.
Të enjten në bursë çmimi i naftës për fuçi pësoi një ulje drastike, ndërsa e premtja ka shënuar një rritje nën efektin e raportit të pritshëm të Shteteve të Bashkuara në lidhje me energjinë.
Një fuçi ka kapur nivelet 108 dollarë, kur një ditë më parë ishte 95 dollarë. Rënia e së enjtes lidhet direkt me Kinën, e cila, sipas ekspertëve, do të përjetojë një ngadalësim të rritjes ekonomike, por në fakt ky shtet është i dyti më i madh sa i përket konsumit, pas SHBA.
Raporti për energjinë në dukje pozitiv për SHBA-të duket se ka dhënë efektin e së premtes, që lidhet me shtrenjtimin.