04 Janar 2025

Mustafa: Hyrja në fuqi e MSA-së, kapitull i ri i zhvillimit të Kosovës

Prishtinë, 1 prill  - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë sot në ceremoninë e organizuar me rastin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

 
Me këtë rast, kryeministri Mustafa ka dorëzuar dokumentin e parë unik doganor për zhdoganimin e mallit konform Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, që shënon fillimin e implementimit të MSA-së në Kosovë.

 
Para të pranishmëve në këtë ngjarje, kryeministri Mustafa tha se për Republikën e Kosovës, po fillon një kapitull i ri i zhvillimit.

 
“Pas nënshkrimit të MSA-së, më 27 tetor të vitit 2015, sot Kosova po kalon në një fazë tjetër të zhvillimit politik, social dhe ekonomik. Në këtë moment edhe zyrtarisht po fillojmë me implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Prandaj, kjo ditë e shumë pritur për ne, do të jetë e shënuar në historinë e zhvillimit të shtetit tonë”, tha kryeministri.

 
Me hyrjen e sotme në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, sipas kryeministrit Mustafa, Kosova po e vë gurthemelin e marrëdhënieve kontraktuale me BE, që kushtëzon të drejta dhe obligime reciproke në një spektër të gjerë sektorësh, duke përfshirë respektimin e parimeve demokratike, aplikimin e standardeve evropiane të tregut, konkurrencës, shtetin ligjor dhe pronën e përgjithshme dhe atë intelektuale.

 
“Marrëdhëniet kontraktuale me BE-në do të ndihmojnë në adoptimin e standardeve evropiane në vendin tonë, në avancimin e dialogut politik, në përmirësimin e standardeve të edukimit, punësimit, energjisë dhe ambientit;  forcimin e shtetit ligjor dhe rritjen e efiçiencës së qeverisjes së brendshme.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit brenda saj ka një agjendë të veçantë të krijimit të një tregu të përbashkët të Kosovës dhe BE-së dhe të reformave që parashohin bashkëpunimin rajonal, lirinë e lëvizjes së mallrave, shërbimeve të punës dhe kapitalit. Kjo Marrëveshje synon të mbështesë tranzicionin ekonomik të Kosovës, si dhe të forcojë integrimin e saj në tregun e përbashkët të BE-së gjatë një periudhe kohore jo më të gjatë se 10 vite që nga sot”, tha kryeministri.

 

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, theksoi se me liberalizimin gradual të tregut sipas Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, BE-ja dhe Kosova do të vendosin një bashkëpunim më të ngushtë për të kontribuar në zhvillimin dhe rritjen ekonomike të Kosovës në përgatitjen e saj për integrim në Bashkimin Evropian.

 

“Bashkëpunimi i tillë do të forcojë lidhjet ekonomike ekzistuese dhe do të krijojë mundësi për përfitime të reja për të dyja palët. Deri më sot marrëdhëniet tregtare mes Kosovës dhe BE-së kanë qenë të përcaktuara me anë të Masave Tregtare Autonome, të cilat kanë  përfshirë  një seri lirimesh nga detyrimet doganore për produktet me origjinë nga Kosova. Nga sot me fillim të implementimit të Marrëveshjes do të hiqen barrierat kufizuese në sasi e vlerë sa i përket tarifave doganore. Pra, kompanitë kosovare që nga sot do të mund të eksportojnë prodhimet e tyre me shpenzime shumë më të ulëta, krahasuar me shpenzimet të cilat kanë qenë në fuqi deri tani, dhe pa barriera administrative. Ne nga sot kemi mundësinë që prodhuesit kosovarë të eksportojnë, përkatësisht të shesin në një treg prej mbi 500 milionë konsumatorësh të BE-së.

Efekt tjetër pozitiv të cilin kemi synim ta arrijmë me këtë Marrëveshje do të jetë thithja e kapitalit të huaj në Kosovë, fakt ky që do të sjell krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e zhvillimit ekonomik dhe të mirëqenies sociale. Shtetasit e Kosovës do të kenë mundësi të zgjedhin produkte shumë më cilësore dhe me çmim të volitshëm. Prodhuesit tanë do ta kenë shumë më lehtë për të gjetur partner për bashkë-investim në prodhimtari në Kosovë që do të thotë se ata do të kenë qasje në tregun e 28 shteteve anëtare të BE-së. Lirimet graduale nga të gjitha tarifat doganore nga BE-ja, do të na shtyjë drejt një zhvillimi më të qëndrueshëm ekonomik në të ardhmen”, tha kryeministri.

 

Duk pasur parasysh sfidat me të cilat mund të ballafaqohen prodhuesit dhe institucionet gjatë implementimit, kryeministri Isa Mustafa, tha se prodhuesit do të jenë të obliguar t’i përmbahen standardeve të BE-së për produkte të cilat synojnë t’i eksportojnë në vendet e BE-së por edhe për ato në tregun e brendshëm konkurrues.

 

“Institucionet, po ashtu, duhet të jenë në shkallën më të lartë të përgjegjësisë. Në këtë rast Dogana e Kosovës do ta tregojë profesionalizimin e vetë përball 28 administratave dhe institucioneve tjera të BE-së. Unë personalisht, duke marr për bazë zhvillimin e Doganës dhe performancën e saj ndër vite, nuk kam  dyshimin më të vogël se Dogana do të jetë në nivel të kryerjes profesionale të detyrave të saj, por po ashtu do të jenë në nivel edhe institucionet tjera të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri.

 

Kryeministri Isa Mustafa gjithashtu tha se ka arsye të shpresohet shumë se pas përmbushjes së suksesshme të kritereve dhe rekomandimeve që janë kërkuar për liberalizimin e vizave, së shpejti këtij akti të rëndësishëm të fillimit të zbatimit të MSA-së do t’i bashkëngjitet edhe vendimi i BE-së me të cilin do të mundësohet lëvizja e lirë e bizneseve dhe e qytetarëve tanë në vendet e BE-së.

“Me këtë rast dëshiroj të falënderoj gjithë ata që punuan dhe kontribuuan për këtë marrëveshje, të falënderoj përfaqësuesen e lartë të BE-së, zonjën Mogherini, komisionerin Hahn dhe Zyrën e BE-së në Kosovë, përfaqësuar nga z. Zhbogar. Ju uroj shumë në implementimin e kësaj Marrëveshje. I falënderoj partnerët tanë nga SHBA-të për përkrahjen dhe punën e tyre të përhershme dhe uroj që sukseset tona në implementimin e kësaj Marrëveshje të jenë suksese të përbashkëta”, tha kryeministri Isa Mustafa.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)