Mustafa diskuton rinisjen e akreditimit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë
Prishtinë, 15 maj - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa gjatë ditës ka zhvilluar një video konferencë me Shefin e Seksionit të Bashkëpunimit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Luigi Brusa, Shefen e Departamentit të Bashkëpunimit për Zhvillim në Ambasadën Gjermane, Anja Becky dhe Drejtorin e GIZ-it në Kosovë, David Oberhuber ku diskutuan për objektivat dhe prioritetet e MBPZhR-së.
Konkretisht, Ministri Mustafa diskutoi rinisjen e procesit të akreditimit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, përmes një projekti të përbashkët trepalësh, për të ngritur transparencën në ndarjen dhe menaxhimin e granteve dhe subvencioneve të financuara nga buxheti i Kosovës apo donatorët duke theksuar se “qëllim i joni i përbashkët është që të menaxhojmë buxhetin tonë në mënyrë transparente për të siguruar që përfitojnë fermerët e vërtetë që punojnë në rritjen e produktivitetit dhe rendimentit të tyre.”
Ministri Mustafa i falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë në sektorin e bujqësisë dhe konfirmoi gatishmërinë e tij që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tej.