Mungesa e laboratorit rrezikon konsumatorët

Prishtinë, 14 mars - Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) organizoi sot tryezën "Java e konsumatorit", ku u prezantuan të arriturat dhe sfidat në fushën e mbrojtjes së konsumatorit.
Muaji mars, i cili njihet si Muaji i Konsumatorit, Kosovën e gjen në një situatë mjaft shqetësuese sa i përket rrezikut që vjen nga produktet e dyshimta.
Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Cuneyd Ustaibo, ka thënë se mbrojtja e konsumatorit ka të bëjë me krijimin e një ambienti të sigurt, rrjedhimisht të një garancie shoqërore, ku të gjitha produktet dhe artikujt të cilët ata dëshirojnë ti blejnë, për nevojat tyre dhe të familjeve tyre, të jenë të sigurta.
Po ashtu edhe shërbimet që iu ofrohen konsumatorëve nga operatorët sipas tij të jenë kualitative dhe në hap me kohën.
"Rregullimi i kësaj fushe mbështetet në shëndetin e konsumatorit, sigurinë e konsumatorit dhe mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit, theksoi zëvendësministri Usatibo, duke shtuar se disa prej mekanizmave kryesorë për avancimin e konsumatorit janë edhe informimi, edukimi dhe ngritja e vetëdijesimit të konsumatorëve përmes mekanizmave të ndryshëm.
Ndërkaq, kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorit, Selatin Kaçaniku, tha se është interes i shtetit që konsumatori të ketë sa më shumë informata, të ketë sa më shumë ngritje, të jetë sa më shumë i arsimuar dhe nga këto veçori të krijohet një histori e re e vetëdijesim të konsumatorëve.
"Nga ky vetëdijesim, konsumatori do të jetë në gjendje që të gjithë tregun dhe të gjithë pjesëmarrësit e këtij sistemi ti emancipojë, -pra ky është interesi, theksoi Kaçaniku.
Kaçaniku ka theksuar se Kosova ka të rregulluar mirë legjislacionin në aspektin e mbrojtjes së konsumatorit, por kjo nuk mjafton duke pasur parasysh nivelin e zbatueshmërisë së ligjeve në Kosovë.
"Nuk është e mjaftueshme, sepse zbatueshmëria e ligjeve për mbrojtjen e konsumatorit e ka fatin e ligjeve të tjera. Është e ditur se zbatueshmëria e ligjeve në Kosovë, nuk e arrin nivelin 40 për qind."
"Ne këtu duhet të fokusohemi, e për të bërë këtë, nuk mjaftojnë mekanizmat, nuk mjafton konsumatori i vetëm, nuk majftojnë bizneset qofshin ata që prodhojnë apo tregtojnë. Por, neve na duhet një përkrahje shumë më e madhe e institucioneve të shtetit nëse jo për asgjë tjetër, atëherë për arsye se ne paguajmë për shërbimet që i presim nga institucionet, thotë Kaçaniku.
Edhe mungesa e laboratorëve për bërjen e analizave të produkteve, të cilat hasen si të dyshimta, nga Kaçaniku thuhet të jetë një pengesë mjaft e madhe në Kosovë. Laboratorët duhet të jenë të pavarur dhe nën mbikëqyrjen e konsumatorit.
Mungesa e laboratorëve dhe ekspertëve, motivimi i pamjaftueshëm i mekanizmave kadrovik e financiar po na kushton shumë shtrenjtë."
"Derisa ne, si konsumatorë, po e vërejmë se diçka ka ndodhur dhe po dëshmohet se, në mungesë të laboratorëve, në organizmin tonë ka hyrë një ushqim i kontaminuar. Në këtë aspekt duhet të punojmë shumë më shumë, shton Kaçaniku.
Ndërsa, Artan Demolli, zyrtar për mbrojtjen e konsumatorit në MTI prezantoi aktivitetet institucionale dhe hapat që janë ndërmarrë në funksion të përmirësimit të mbrojtjes së të drejtave të konsumatorit në Kosovë.
Vetëm brenda katër muajve në Kosovë kanë hyrë mbi katër produkte, që konsideroheshin me cilësi të dyshimtë, e të cilat rrjedhimisht rrezikojnë jetën e qytetarëve.
Shamponi Kosil, domatja, margarina Vital dhe disa produkte të qumështit, ishin produktet e dyshuara për nga cilësia.
Shfaqja e aflatoksinës M-1 mbi nivelin e lejuar, e cila është gjetur në qumështin e prodhuar në Serbi, Bosnje e Hercegovinë e Kroaci, ishin produktet e fundit, shitja e së cilave u ndalua në tregun kosovar.