04 Janar 2025

MTI vendos masa reciproke ndaj Serbisë

Prishtinë, 23 mars - Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka njoftuar kabinetin se më datën 21 mars 2016 ka marrë vendim që të vendoset masa reciproke ndaj Republikës së Serbisë, duke mos njohur certifikatën e ADR-së për automjetet si dhe certifikatën e ADR-së për shoferët, të lëshuar nga autoritetet serbe për transportuesit, eksportuesit e Serbisë të cilët realizojnë eksportin e derivateve të naftës dhe gazit në Kosovë.

“Me këtë vendim, është obliguar Dogana e Kosovës që të mos njeh certifikatën e ADR-së të lëshuar nga autoriteti serb. Vendimi është marrë pas përpjekjeve të shumta të Qeverisë së Kosovës për të gjetur një zgjidhje përmes dialogut. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë fillimisht ka kërkuar nga autoritetet serbe që të marrin masat e duhura për të eliminuar këtë barrierë, por nuk ka pasur përgjigje pozitive. Pastaj e kemi lajmëruar rastin në Sekretariatin e CEFTA-s dhe çështja është diskutuar në takimin e fundit të nënkomitetit për barriera jo tarifore në nivel të CEFTA-s, i cili takim është mbajtur më 3 mars 2016, por sërish pala serbe nuk ka treguar gatishmëri për zgjidhjen e kësaj çështje”, tha Bajrami.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, po ashtu bëri të ditur se kjo çështje është ngritur edhe në nivel më të lartë politik.

“Ministrja Tahiri ka kërkuar edhe ndërhyrjen e BE-së, dhe më 18 shkurt 2016, në Bruksel është mbajtur takimi i grupit punues trepalësh mes Kosovës dhe Serbisë, ndërmjetësuar nga BE-ja për çështjen e certifikatës ADR, për të kërkuar nga pala serbe njohjen e certifikatave përkatëse të ADR-së, por pala serbe sërish nuk ka treguar bashkëpunim. Kështu që, kjo masë vjen pas shterimit të të gjitha alternativave tjera që përmes dialogut të gjendet një zgjidhje. Përndryshe, që nga data 28 gusht 2015, kompanitë kosovare importuese që merren me importin dhe transportin e derivateve të naftës dhe të gazit nga Serbia, janë ballafaquar me një barrierë tregtare të vazhdueshme të vendosur nga autoritetit e Serbisë, duke mos iu njohur atyre certifikatat e ADR-së për automjetet dhe për shofer, të cilat janë të lëshuara nga autoritetet e Kosovës dhe ato të Maqedonisë”, tha ajo.

Më tej, ministrja Hykmete Bajrami tha se në bazë të vendimit 344-01-184/2015/02-01 të datës 16 shtator 2015, Ministria e Ndërtimtarisë, e Komunikacionit dhe e Infrastrukturës së Serbisë, pati nxjerr një vendim me të cilën iu mundësonte kompanive kosovare të transportojnë deri më 31 dhjetor 2015, dhe të vazhdojnë transportin e derivateve të naftës dhe gazit pa pengesa.

“Përkundër këtij vendimi të lëshuar nga pala serbe, kompanitë e Kosovës përsëri nga data 15 tetor 2015 nuk kanë pasur mundësi të importojnë derivatet e naftës dhe gazit, për shkak se autoritetet e Serbisë prapë kanë vazhduar të mos i njohin certifikatat e ADR-së të Kosovës dhe as të Maqedonisë, që bie në kundërshtim me vendimin e lartpërmendur dhe me parimet e tregtisë së lirë të përcaktuara me rregullat e CEFTA-s”, tha ministrja Bajrami, duke i bërë thirrje autoriteteve serbe që të jenë më bashkëpunuese dhe të njohin dokumentet e lëshuara nga autoritetet e Republikës së Kosovës dhe të mos pengojnë qarkullimin e lirë të mallrave dhe të njerëzve.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)