MTI shënon ditën botërore të Metrologjisë
Prishtinë, 22 maj - Agjencia e Metrologjisë, që vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në bashkëpunim me projektin e BE-se për Lëvizje të Lirë të Mallrave, me rastin e ditës botërore të Metrologjisë ka organizuar konferencë me temë: \"Roli i Metrologjisë në procesin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me BE-në - rezultatet e hulumtimit të nevojave për Metrologji\".
Me rastin e kësaj ngjarje, zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Avni Kastrati, shprehu kënaqësinë që edhe institucionet e Kosovës po e shënojnë Ditën Botërore të Metrologjisë, duke iu bashkëngjitur vendeve të tjera të botës.
Sistemi i Metrologjisë është elementi kyç për infrastrukturën e cilësisë së një vendi dhe për mbrojtjen e tregut të brendshëm nga importet e cilësisë së ulët, theksoi Zv/ministri Kastrati, duke shtuar se në shumë vende, sistemet e avancuara të matjeve janë një prej forcave shtytëse për industritë prodhuese dhe shumë ambiente testimi përdoren për zhvillimin e produkteve të reja.
Ai, po ashtu potencoi se Kosova për të qetë një vend i suksesshëm në zhvillimin dhe përkrahjen e bizneseve të cilat do të mund të jenë konkurrente në treg, ka nevojë që të ketë një sistem Metrologjie, të njohur në nivel ndërkombëtar.
Metrologjia në Kosovë duhet të jetë në nivelin e duhur konform kërkesave dhe standardeve të BE-së, andaj edhe ka nevojë për mbështetje për sigurimin e infrastrukturës së nevojshme metrologjike dhe në ndërtimin e hapësirave të përshtatshme dhe krijim të laboratorëve, ku do te zbatohej një sistem i mirëfilltë i Metrologjisë në Kosovë, i cili do të jetë në nivel me vendet e rajonit dhe të Evropës, tha zëvendësministri Kastrati.
Në fund të fjalimit, zv/ministrit Kastrati bëri të ditur se Agjencia e Metrologjisë e Kosovës me politikat e saj dhe objektivat për ndërtimin e sistemit të Metrologjisë do të sigurojë shërbime profesionale cilësore si dhe do të testojë kualitetin e cilësisë në kuadër të laboratorëve të cilët janë nën menaxhimin e saj.