MTI nënshkruan memorandum për promovimin e NVM-ve në Kosovë
Prishtinë, 13 dhjetor - Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari Lila nënshkroi sot marrëveshje dy vjeçare me Christian Geosits, Drejtor i Zyrës së Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA), e cila do të bashkë financohet nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim.
Ndërtimi i kapaciteteve të NVM-ve dhe lehtësimi i qasjes në financa do të jenë komponentët kryesore të implementimit të këtij projekti i cili do të nis në fillim të vitit 2013.
Pas nënshkrimit të memorandumit, zëvendëskryeministrja Kusari Lila tha se qasja në financa tash e disa vjet konsiderohet si një nga barrierat kryesore për bizneset e vogla dhe mesme: Ne, së bashku me ADA-në dhe bashkëpunëtorë të tjerë do të punojmë me përkushtim të plotë për lehtësimin e qasjes në financa. Zhvillimi dhe promovimi i NVM-ve, ngritja e kapaciteteve brenda vet Agjencisë është prioritet i yni. theksoi ajo
Ndërsa z.Christian Geosits nga ADA tha se kjo marrëveshje do të shërbej për ngritjen e kapaciteteve të vet Agjencisë për Mbështetjen e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme por edhe promovimin e NVM-ve në Kosovë.
Ky projekt ka një mori veprimesh që do ti ndërmerr gjatë dy viteve duke filluar me analizën e nevojave për trajnim, forcimin e bazës së të dhënave të NVM-ve dhe krijimin e mekanizmit të Indikatorin e konkurrueshmërisë komunale, kryerjen e një studimi të fizibilitetit për vlerësimin e mekanizmave për ofrimin e përmirësuar të qasjes në financa për NVM-të, ndërtimin e strategjisë së financimit në ofrimin e fondeve potenciale të ofruesve të Fondit garantues dhe të Skemës së Garantimit të Kredive dhe aktivitete që kanë për qëllim zhvillimin dhe promovimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Fondi i ndarë për këtë projekt është 1,778,000.00 euro që do të jetë një bashkëfinancim i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Agjencisë Austriake për Zhvillim dhe Zyra Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është e përkushtuar të punoj në përmirësimin e ambientit për të bërë biznes dhe mbështetjen e sektorit privat në Kosovë.