MTI nënshkruan memorandum mirëkuptimi me Shtimjen e Lipjanin
Prishtinë, 22 mars - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari Lila sot nënshkroi memorandum mirëkuptimi për hapjen e dy qendrave për regjistrim të biznesit të njohura si One-Stop Shop me komunën e Shtimes dhe Lipjanit.
Me këtë memorandum përcaktohen masat për bashkëpunim në mes të palëve në lidhje me themelimin, menaxhimin dhe funksionimin e një "One-Stop Shop-i", që do të sigurojë shërbim për të gjithë klientët e mundshëm ose klientët e bizneseve ekzistuese.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, në fjalën e saj tha: pas një punë të palodhshme, përfundimisht sot arritëm të nënshkruajmë memorandumin e mirëkuptimit me dy komuna. Unë shpresoj që këto dy qendra të jenë sa më funksionale, ti ofrojë bizneseve mundësi të shpejt të regjistrimit dhe të shërbejë si qendër informuese për investitorët e interesuar.
Këto qendra do të ndihmojnë në kompletimin e të gjitha procedurave, që zyrtarisht janë të nevojshme për klientë për të filluar dhe operuar në aktivitetet të ligjshme industriale dhe komerciale në komunë.
Sipas rregullave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve Kosovare, në këto qendra do të bëhet regjistrimi, ruajtja, procedimi dhe lëshimi i të gjitha dokumenteve: regjistrimi i numrit fiskal, regjistrimi i TVSH-së, si dhe dhënia e këshillave dhe udhëzimeve për klientët afaristë.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes reformave për të bërë biznes është duke u munduar të përmirësojë ambientin e të bëri biznes: është eliminuar leja e punës, regjistrimi i biznesit bëhet pa pagesë, është reduktuar numri i dokumenteve për import dhe eksport, është eliminuar kapitali fillestar dhe është ngritur mbrojtja e investitorëve.
Deri më tani në Kosovë janë hapur 22 One Stop Shop-e për tiu ofruar bizneseve qasje më të lehtë dhe më të afërt për të regjistruar biznesin e tyre, si dhe për të marrë këshilla. Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë paraparë të hapen edhe gjashtë qendra tjera.