MTI nënshkruan marrëveshje për bashkëfinancimin e Zonës Agro-Industriale në Suharekë

Prishtinë, 31 gusht - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, vizitoi sot Komunën e Suharekës ku u prit nga kryetari i kësaj komune, Sali Asllanaj.
Me këtë rast, ministrja Bajrami dhe kryetari Asllanaj nënshkruan Marrëveshjen për bashkëfinancimin e projektit për financimin e Zonës Agro-Industriale në Samadraxhë të Komunës së Suharekës.
Në fjalën e saj, ministrja Bajrami theksoi se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë po punon me përkushtim në përmirësimin e kushteve për bizneset dhe se do të vazhdojë të financojë ndërtimin e zonave industriale nëpër komunat e Kosovës.
Vlera e investimit në këtë projekt për vitin 2016 është 243,762.30 euro, ku prej kësaj shume MTI kontribuon me 200,000.00 euro, ndërsa Komuna e Suharekës me 43,762.30 euro.