MTI ndërmerr aksion për kontrollin e cilësisë së karburanteve
Prishtinë, 6 dhjetor - Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka vijuar kontrollet në zbatim të ligjit për respektimin e standardeve në fushën e importit dhe tregtimit të karburanteve, dizell dhe benzinë.
Të shtunën, nën monitorimin e ministrit Ismet Mulaj, inspektorët e Tregtisë dhe Industrisë, në bashkëpunim me Trupat inspektuese të cilësisë dhe sasisë së karburanteve të lëngëta të naftës, kanë ndërmarr aktivitete shtesë në kontrollin e cilësisë së karburanteve që tregtohen brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Nga kontrollet e ushtruara janë marrë gjithsej 22 mostra në pikat shitëse me pakicë. Aksioni është ndërmarrë edhe në bashkëpunim me Shoqatën e naftëtarëve të cilët kanë rekomanduar marrjen e disa mostrave në disa pika të dyshimta për ta.
Mostrat më pas janë dërguar për testim.
Ditët në vazhdim, laboratorët vendor dhe evropiane do të nxjerrin analizat nga mostrat e pranuara, të cilat do të prezantohen në konferencën për media nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
Ky veprim shtesë, pa paralajmërim, po ndërmerret për të qartësuar dyshimet e ngritura rreth cilësisë së karburanteve që tregtohen brenda vendit.