MTI mbështet financiarisht ndërtimin e zonës industriale në Gjakovë
Prishtinë, 24 janar - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, priti sot në takim kryetaren e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.
Temë e diskutimit ishte thellimi i bashkëpunimit institucional në mes Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë me Komunën e Gjakovës në funksion të mbështetjes së sektorit privat dhe zhvillimit ekonomik të kësaj komune.
Ministrja Bajrami e njoftoi znj. Kusari-Lila lidhur me politikat që po ndërmerr Qeveria e Republikës së Kosovës në të mirë të përmirësimit të mjedisit afarist në vend, si dhe mbështetjen që MTI po u ofron komunave të Kosovës në ndërtimin e zonave industriale me qëllim të lehtësimit të punës së bizneseve dhe tërheqjes së investitorëve të huaj.
Në anën tjetër, znj. Kusari-Lila e njoftoi ministren Bajrami lidhur me aktivitetet e ndërmarra nga Komuna e Gjakovës në fuqizimin e sektorit privat si dhe me përgatitjet që po bën kjo komunë sa i përket krijimit të zonës industriale në Gjakovë.
Ministrja Bajrami i premtoi kryetares Kusari-Lila që sapo të jenë kryer procedurat e parapara nga komuna e Gjakovës dhe pas licencimit të zonës industriale nga MTI, kjo e fundit do të ofrojë kontributin e saj institucional duke mbështetur financiarisht ndërtimin e kësaj zone të rëndësishme për ekonominë e komunës së Gjakovës dhe më gjerë.