MTI konfirmon se taksa nga Maqedonia hiqet me 1 gusht
Sipas informatave zyrtare, taksa doganore e vendosur nga Qeveria e Maqedonisë do të hiqet me 1 Gusht të këtij viti, ditën kur mbaron edhe masa mbrojtëse për importin e çimentos në Kosovë, Qeveria e Maqedonisë ka miratuar një vendim për rritjen e tarifave doganore për ujin dhe gypat e salduar. Tarifa doganore për ujin është ngritur për 40%, ndërkaq ajo për gypat e salduar 15%, thuhet në komunikatën e MTI-së, së Kosovës.
Qeveria e Maqedonisë e ka arsyetuar vendimin me dëmtimin e tregut maqedonas të çimentos me rastin e vendimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës për masat e përkohshme mbrojtëse në importin e çimentos.
MTI është duke bërë përpjekje maksimale në bashkërendim e hapave me Republikën e Maqedonisë për eliminimin e barrierave tregtare/doganore ndërmjet dy shteteve. Në rast të mos shfuqizimit të vendimit nga Qeveria e Maqedonisë më 1 Gusht, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të ndërmarrë të gjitha hapat e duhur në pajtim me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës, për të mbrojtur tregun e Kosovës dhe prodhuesit kosovarë, të cilët eksportojnë në Maqedoni, ka njoftuar MTI.
Kosova dhe Maqedonia janë partnerë të fuqishëm ekonomik dhe tregtia e lirë është në interes të të dy vendeve.
Qeveria e Kosovës angazhohet për partneritet të ndërsjellë ekonomik me Maqedoninë dhe shtetet e tjera të rajonit, në kuadër të marrëveshjes për tregti të lirë duke shpresuar që bashkëpunimi i mirë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, përfundon komunikata.