08 Janar 2025

MTI inspekton pikat shitëse me pakicë të derivateve të naftës

Prishtinë, 14 gusht  - Inspektorati i Tregut dhe Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, që veprojnë në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në përcjellje të mediave dhe në prani të kryetarit të Shoqatës së Konsumatorëve të Kosovës, kanë organizuar sot një aksion për t’i kontrolluar pikat shitëse me pakicë të derivateve të naftës për cilësinë dhe sasinë e derivateve të naftës.

Ky aksion është organizuar si përgjigje ndaj ankesave kryesisht verbale që kanë shfaqur qytetarët si dhe dyshimeve të raportuara në disa media për mashtrime të mundshme të qytetarëve gjatë blerjes së derivateve të naftës nëpër pika të ndryshme shitëse me pakicë të subjekteve ekonomike që merren me tregtinë e derivateve të naftës në vend.

Përzgjedhja e pikave për inspektim është bërë sipas shortit të përzgjedhur nga kryetari i Shoqatës së Konsumatorëve, Selatin Kaçaniku dhe nga gazetarët. Shorti është hedhur pas secilit inspektim për të vazhduar tek operatori tjetër ekonomik.

Në të gjitha pikat e kontrolluara, matjet e bëra nga Agjencia e Metrologjisë rezultojnë të jenë brenda gabimit maksimal të lejuar, që është Er max = ± 0.5%. Po ashtu në bazë të testimeve të bëra në laboratorin e akredituar sipas standardit SK ISO/IEC17025, produktet e testuara rezultojnë të jenë konform me Udhëzimin Administrativ nr.07/2012 për Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë i siguron qytetarët se inspektimi i pikave shitëse të derivateve të naftës dhe të produkteve të tjera që janë nën mandatin e Inspektoratit të Tregut të MTI-së, është punë e përditshme, në mënyrë që konsumatorëve t’u ofrohen produkte të cilësisë së lejuar sipas standardeve. Këto aktivitete bëhen zakonisht pa paralajmërim të operatorëve. Së këndejmi, deklarimet ad hoc të disa përfaqësuesve të bizneseve dhe organizatave të tjera se MTI po i paralajmëron bizneset para inspektimit janë të paqëndrueshme, pasi që aksioni i sotëm është bërë publik nga vet mediat të cilat kanë qenë të ftuara ta përcjellin këtë aktivitet. 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)