MTI e përkushtuar për prodhuesit e qumshtit
Prishtinë, 15 qershor - Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e ka përcjellë me vëmendje dhe kujdes të shtuar situatën në sektorin e prodhimit dhe përpunimit të qumështit në Kosovë.
MTI ka pasur kontakte të vazhdueshme me përfaqësues të shoqatave të këtyre bizneseve dhe ka diskutuar për shqetësimet që i kanë ngritur ato në lidhje me konkurrencën nga produktet e importit.
Në takimin e fundit të mbajtur në MTI më 18 maj, në prezencën e ministres së MTI-së, Doganave të Kosovës, Administratës Tatimore, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë ështëvlerësuar si nevojë urgjente themelimi i një Grupi Punues Ndër-Institucional duke u bazuar në Ligjin për Masa Mbrojtëse në Importe.
Ky mekanizëm, formimi i të cilit tashmë iniciuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, do të mbledh të dhënat e nevojshme dhe do ti trajtojë kërkesat të cilat kanë për qëllim rregullimin e tregut vendor dhe mbrojtjen eventuale të këtij tregu nga importet.
MTI-ja në bashkëveprim edhe me institucionet e tjera të Kosovës është e përkushtuar që ti përkrah prodhuesit dhe përpunuesit vendorë të qumështit dhe për këtë qëllim do të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme bazuar në legjislacionin në fuqi.