MTI akreditoi shtatë laboratorë për vlerësim të konformitetit
Prishtinë, 10 mars - Zyrtarë nga Drejtoria e Akreditimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë u ndanë certifikata të akreditimit shtatë laboratorëve testues. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin: Zylbehar Hasallari, këshilltar i ministrit të MTI-së, zyrtarë nga MTI-ja, si dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.
Këshilltari i ministrit të MTI-së, Zylbehar Hasallari në fjalën ne tij tha "Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ndër prioritetet e saja themelore ka ngritjen e infrastrukturës së cilësisë dhe të standardizimit, metrologjisë dhe akreditimit, që është një ndër kërkesat themelore të marrëveshjes së stabilizim asociimit. Deri më tani DAK ka akredituar 11 organizma për vlerësim të konformitetit, prej të cilëve 10 laboratorë testues dhe 1 organizëm inspektues", theksoi Hasallari.
Ndërsa, Ibush Luzha, drejtor i Drejtorisë së Akreditimit të Kosovës potencoi se sukseset e Drejtorisë së Akreditimit janë të njëpasnjëshme. I pari ishte ngritja e Sistemit të Menaxhimit të Cilësisë sipas kërkesave të standardit ISO/IEC 17011, anëtarësimi në Korporatën Evropiane të Akreditimit. Përgatitja e dokumentacionit për aplikim në Forumin Ndërkombëtarë të Akreditimit, etj.
Pas fjalimeve iu ndanë certifikata të akreditimit këtyre laboratorëve:
1. FANsh.p.k, laborator për analiza fiziko-mekanike të armaturës dhe nyjeve të saldimit;
2. N.P.N Renelual Tahirish.p.k, laborator për analiza fiziko-mekanike për beton dhe produkte të betonit;
3. Compact Group sh.p.k, laborator i analizave te ujit DEA;
4. ESKAVATORI COMPANY sh.p.k, laborator i analizave të agregateve, përzierjes bituminoze dhe bitumit;
5. M&Sillosi sh.p.k, laborator për analiza të miellit, grurit, himeve dhe prodhimeve të grurit;
6. Derivati , Sh.p.k, laborator për analiza të naftës dhe derivate të naftës;
7. N.N.SH Geokos A&A, laborator i analizave gjeomekanike të dherave.
Këtë ngjarje e përshëndeti, në emër të laboratorëve të akredituar, Refki Hoxhaj, përfaqësuesi i laboratorit për analiza fiziko-mekanike për beton dhe produkte të betonit në ndërmarrjen Renelual Tahiri, i cili e përgëzoi punën e institucioneve kosovare, respektivisht të MTI-së dhe zyrtarëve të saj, për gatishmërinë e treguar për ti ndihmuar afaristët dhe këtë fushë me interes të përgjithshëm.
Ceremonia përfundoi me koktejin e organizuar nga MTI-ja, ku të pranishmit shkëmbyen idetë dhe përvojat e tyre për këtë fushë.