04 Janar 2025

MSA u mundëson produkteve të Kosovës qasje te plotë në tregun e BE-së

Prishtinë, 7 mars - Në organizim të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, sot në Prishtinë u mbajt punëtoria informuese me temën “Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, mundësitë e mbështetjes institucionale për bizneset dhe kërkesat e tregut të BE-së për eksport. Sektori: Bujqësia dhe Përpunimi i Ushqimit.”

Ky aktivitet kishte për qëllim informimin e bizneseve të Kosovës rreth implementimit të MSA-së. Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami dhe zyrtarë tjerë nga MTI-ja, përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, Dogana e Kosovës, ekspertë nga Bashkimi Evropian si dhe pjesëtarë të komunitetit të biznesit.   

Në fjalën e saj, ministrja Hykmete Bajrami theksoi se nënshkrimi i MSA-së vitin që shkoi ishte njëri ndër lajmet më të rëndësishme të Kosovës.

Ky zhvillim, tha ajo, “përveç rezultateve të rëndësishme ekonomike që do të prodhojë në periudhën vijuese, është padyshim edhe një arritje e madhe politike e Republikës së Kosovës në raportet tona tashmë të shndërruara në kontratë formale me BE-në.” 

Më tej, znj. Bajrami shtoi se “Përveç përfitimeve që ne do t’i kemi si palë nënshkruese e MSA-së, ne kemi po ashtu edhe obligime të rëndësishme të cilat duhet t’i përmbushim duke u sjellur si një shtet përgjegjës dhe i vendosur për çuarjen përpara të reformave të gjithanshme strukturore - reforma të cilat do të na mundësojnë që ekonomia jonë të futet në binarët e zhvillimit kualitativ duke u bërë e denjë të ndërveprojë suksesshëm me tregjet e zhvilluara të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.”   

Ministrja nënvizoi se MSA ka si objektiv final krijimin e zonës së tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe vendeve të Bashkimit Evropian brenda periudhës 10 vjeҫare. 

Ajo shtoi se “Që me hyrjen në fuqi e MSA-së, produkteve të Kosovës do t’u mundësohet qasje e plotë në tregun e BE-së (përveç një numri sosh që kanë kufizime sasiore) – pra në një treg prej 500 milionë konsumatorësh në 28 shtete anëtare – ndërsa në anën tjetër, liberalizimi i tregut të Kosovës për produktet e Bashkimit Evropian do të bëhet në mënyrë graduale.” Pra marrëveshja e arritur është asimetrike dhe në favor të Kosovës, theksoi ministrja Bajrami.

Znj. Bajrami potencoi se qasja në këtë treg të madh dhe të zhvilluar do të sigurojë për bizneset kosovare dhe ekonominë e vendit tonë përfitime të shumanshme, ku përfshihen, ndër të tjera: mënjanimi i barrierave tregtare, krijimi i një mjedisi më të qëndrueshëm dhe transparent afarist, krijimi i një klime të përshtatshme të biznesit e cila favorizon rritjen e investimeve e huaja direkte dhe krijim të vendeve të punës në vendin tonë.

Në fund, ministrja Bajrami shprehu zotimin dhe përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vazhduar me vendosmëri me reformat e gjithmbarshme në të cilat qeveria e vendit është e angazhuar, rezultati i të cilave reforma do ta çojë ekonominë e vendit në rrugën e prosperitetit dhe të mirëqenies për të gjithë qytetarët e vendit tonë.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)