MSA iu ofron kompanive nga Kosova qasje në një treg prej 500 milion konsumatorëve
Beçiq, 9 dhjetor - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami mori pjesë në Konferencën e Ministrave të Komitetit Investues të Evropës Juglindore në kuadër të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), që u mbajt sot në Beçiq të Malit të Zi.
E veçanta e këtij takimi është se nga sot Komiteti i Investimeve të Evropës Juglindore bëhet pjesë e strukturave të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, gjë që i mundëson Kosovës avancim të statusit, nga të qenurit vëzhgues në pozitën e anëtarit të plotë.
Ministrja Bajrami, fillimisht falënderoi Qeverinë e Malit të Zi dhe Këshillin për Bashkëpunim Rajonal (RCC) që krijuan mundësinë për të raportuar për progresin e arritur në Kosovë, në implementimin e Strategjisë së Evropës Juglindore 2020 dhe rrugën drejt integrimit në BE.
Ajo theksoi se Qeveria e Kosovës po punon për adresimin e të gjitha çështjeve të përfshira në këtë strategji, përmes Programit të Reformës Ekonomike Kombëtare të Kosovës.
Ajo shtoi se tregtia me vendet e CEFTA-s është njëra ndër pjesët më të rëndësishme të shkëmbimeve tregtare të Kosovës, me 31 % të totalit të tregtisë së huaj për peridhën janar-shtator 2015, gjegjësisht me një rritje prej prej 10% nga e njëjta periudhë e vitit 2014.
Ministrja tha se kur flasim për tregtinë e lirë duhet të përmendim se Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Komisionin Evropian. Marrëveshja është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës në nëntor të vitit 2015, ndërsa plani i zbatimit 2016-2020 tashmë është hartuar.
Nënshkrimi i MSA-së paraqet rëndësi politke dhe ekonomike për vendin tonë, është rruga jonë drejt integrimit në EU.
Ajo tha, se MSA-ja, kompanive tona iu ofron qasje në një treg prej 500 milion konsumatorëve, por këtu problem paraqet çështja e vizave, për shkak se lëvizja e lirë e mallrave nuk mund të ndodhë pa pasur lëvizje të lirë të njerëzve.
Pres nga EU-ja që të reflektoj, pasiqë Qeveria e Republikës së Kosovës i ka plotësuar të gjitha kushtet, qytetarët e vendit tim meritojnë të trajtohen njejtë si qytetarët e vendeve fqinje, shtoi ajo.
Përveç kësaj, vazhdoi ministrja Bajrami, fokusi kryesor është bërë në kuadrin legjislativ për tregtinë e shërbimeve dhe forcimin e kapaciteteve për infrastrukturën e cilësisë. Qeveria e Kosovës po merr pjesë në mënyrë aktive në Komitetin e CEFTA-s për Lehtësimin e Tregtisë si dhe në nën-komitetet tjera të këtij mekanizmi rajonal. Aktualisht jemi aktivë në procesin e negociatave për shërbime.
Projektligji i parë për Shërbime është përgatitur dhe pritet të miratohet në një të ardhme të afërt. Ndërkohë, aktivitetet e aplikimit për anëtarësim në Organizatën Botërore të Tregtisë kanë filluar. Drafti i parë i Memorandumit për Agjendën e Jashtme është përgatitur dhe pritet të aplikojmë për anëtarësim në vitin 2016.
Ministrja vuri në pah se po punohet në forcimin e ndërveprimit në Trekëndëshin e Dijes (Arsimi, Kërkimi dhe Biznesi). Kemi hartuar ligjin për profesionet e rregulluara, i cili është miratuar nga Qeveria dhe aktualisht është duke u shqyrtuar në Kuvend.
Ligji i ri për Provimin Përfundimtar dhe të Maturës Shtetërore është finalizuar dhe pritet të kalojë në kuvend së shpejti. Së bashku me komunitetin e biznesit ne jemi duke punuar në kurrikulat e reja për shkollat e mesme dhe shkollat profesionale.
Ne jemi duke punuar në përmirësimin e qasjes në financa për NVM-të. Në gusht të vitit 2015 Qeveria ka miratuar Ligjin për Themelimin e Fondit për Garantimin e Kredive.
Në lidhje me përmirësimin e mëtejshëm të mjedisit të të bërit biznes, ne jemi duke ndryshuar Ligjin për Falimentim, dhe jemi duke punuar në ligjin e ri për Shoqëritë Tregtare, tha ministrja.
Ajo, prezantoi edhe projektet infrastrukturore në implementim e sipër, si ndërtimi i rrugës Prishtinë Shkup, projekt i cili pritet të finalizohet deri në fund të vitit 2018, ndësa rindërtimi i hekurudhës së Hanit të Elezit (kufiri me Maqedoninë), pritet të fillojë në vitin 2016.
Ministrja përmendi edhe investimet në projektet kapitale si projekti i Brezovicës dhe ndërtimi të Termocentralit Kosova e Re.
Në vazhdim të fjalë së saj, tha se është krijuar Komiteti Kombëtar i Investimeve (NIC), i cili synon prioritizimin e projekteve të mëdha të infrastrukturës bazuar në dhe fizibilitetin dhe analizat e ndikimit. Lista e projekteve me prioritet të lartë do ti prezantohet institucioneve financiare ndërkombëtare (IFI) të cilat janë të ftuara të investojnë.
Në fund të fjalës së saj, ministrja Bajrami the se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për të përmbushur të gjitha prioritetet e identifikuara në Strategjinë 2020 .