Moska përuron qendrën tregtare më të madhe në Evropë
Moskë, 1 dhjetor - Pavarësisht krizës ekonomike, mes sanksioneve, rënies së çmimit të naftës dhe pikiatës së rublës, Moska përuroi Avia Park, qendrën më të madhe të blerjeve në Evropë, me sipërfaqe 228 500 metra katrorë dhe me vlerë një miliard dollarë.
Qendra e re tregtare, që ka mbi 550 dyqane dhe hipermarketin Auchan me sipërfaqe 25 700 metra katrorë, bazohet mbi një strukturë moderne me një çati të pamatë xhami dhe ia kalon nga përmasat qendrës tregtare angleze MetroCentre, më e madhja deri tani e Kontinentit të Vjetër.
Qendra tregtare moskovite është e barabartë me 36 fusha futbolli, ka 80 restorante dhe 17 kinema me 4 000 vende.
Kryeqyteti rus ka prej pak kohësh edhe qiellgërvishtësen më të lartë në Evropë (Kulla e Federatës së Qytetit të Moskës) dhe që nga dje edhe pistën më të madhe të patinazhit në kontinent.