MMPH, Udhëzim për qarkullimin ndërkufitar të specieve të egra
Prishtinë, 11 dhjetor - Në pajtim me Konventën për tregtinë ndërkombëtare të specieve të rrezikuara të florës dhe faunës, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, nxorri udhëzimin administrativ për qarkullimin ndërkufitar dhe tregtinë me speciet e egra të mbrojtura.
Me këtë UA rregullohet procedura dhe kushtet për lëshimin e vendimit për futjen, nxjerrjen, eksportin dhe kushteve të tjera të nevojshme për kryerjen e qarkullimit ndërkufitar të specieve të egra.
Gjithashtu është përshtatur edhe procedurat për rieksportim, regjistrat e specieve për të cilat merren vendimet ose lëshohen vërtetimet,përcaktimi i përmbajtjes dhe mënyra e parashtrimit të kërkesës, kufizimet e përgjithshme dhe të veçanta gjatë importimit, mënyra e shenjëzimit të shtazëve ose dërgesave si dhe mënyra e përkujdesjes për ekzemplarët e konfiskuar.
Leja e importit për speciet e mbrojtura mirret në MMPH, ndërsa parashtruesi i kërkesës duhet të dorëzojë dokumentacionin me të cilin dëshmon që speciet janë siguruar në pajtim me dispozitat ligjore për mbrojtjen e specieve përkatëse në shtetin eksportues ose rieksportues.
Gjithashtu, kusht tjetër për parashtruesin e kërkesës është dëshmia e mjaftueshme se speciet nuk do të përdoren për qëllime komerciale, dhe se secila specie e mbrojtur do të transportohet në atë mënyrë që të zvogëlohet rreziku i lëndimit, dëmtimit të shëndetit apo trajtimit mizor.
Lista e të gjitha llojeve të specieve të egra të mbrojtura, mund të gjindet në shtojcat e këtij udhëzimi.