Mitrovicë, tregtarët ambulantë nuk lejohen të shesin në rrugë

Mitrovicë, 13 janar - Me qëllim të vendosjes së rregullit nëpër rrugët e qytetit, Drejtoria e Inspekcionit në Mitrovicë, ka disa javë që nuk është duke lejuar shitësit ambulantë të shesin në trotuare dhe rrugë.
Si rezultat është krijuar një pasqyrë më e mirë për qytetin si dhe është lehtësuar lëvizja për këmbësorë dhe automjete.
Drejtori i Inspekcionit, Lulzim Zeqiri, tha se inspektorët e tregut përditë janë në terren duke përcjellur situatën, në mënyrë që rregulli i vendosur të zbatohet.
Është vendim që tregtarët ambulantë të largohen nga rruga. Ata vazhdimisht kanë penguar komunikacionin dhe nuk kanë zbatuar asnjë kriter për shitjen e produkteve ushqimore, si pemëve dhe perimeve.
Theksoi se për të gjithë tregtarët ka hapësirë të mjaftueshme në tregun e qytetit. Është një hapësirë shumë e mirë që ofron kushte adekuate për punë, tha ai, duke sqaruar se atyre që tregtojnë në rrugë do tu konfiskohet malli.
Në anën tjetër, Nexhat Dedia, koordinator i ndërmarrjes komunale Tregu, tha se kushtet që ofrohen për punë në tregun e qytetit janë shumë të mira.
Në treg ka tezga të mjaftueshme, të cilat janë të mbuluara, mandej oborri është i rrethuar dhe i shtruar me kubëza. Në përgjithësi kushtet janë shumë të mira për punë.
Tha se tash është rregulluar edhe objekti për shitjen e prodhimeve të qumështit. Shitja e produkteve të qumështit është bërë jashtë çdo standardi. Tash kemi Bulmetoren e re, e cila është në dispozicion të tregtarëve.
Dedia theksoi se pas masave që janë ndërmarrë nga inspektorati i komunës me asistimin e policisë gjendja ka nisur të normalizohet sa i përket tregtarëve ambulantë.
Ai tha se tregu ka nisur të shfrytëzohet më shumë dhe po krijohet një shprehi e mirë edhe prej tregtarëve, por edhe prej konsumatorëve.
Ai përmendi edhe projektin për rregullimin e mbulojës për gjithë tregun e qytetit. Tha se është një projekt i kushtueshëm, për çka presin ndihmë nga Komisioni Evropian, i cili edhe e ka financuar tërësisht rregullimin e tregut.
Ndër planet tjera, ceku edhe angazhimin për sistemin e shitësve të druve. Theksoi se është duke u punuar që të funksionalizohet Tregu i kafshëve, i cili është i gatshëm.
Kjo do të ndihmonte shumë në vendosjen e rregullit nëpër rrugët e qytetit, ku tashmë shiten dru, thëngjill etj.