Mirëpritet Raporti iBankës Botërore për të Bërit Biznes
Prishtinё, 28 tetor - Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpresin publikimin e të gjeturave të Raportit të Bankës Botërore për të Bërit Biznes 2016.
Renditja e përgjithshme e Kosovës në vendin e 66-të nga gjithsej 189 shtete të përfshira në raport, pasqyron përmirësimin e vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm të mjedisit afarist dhe është një tregues i përkushtimit të Kosovës për reforma në fushën e politikave ekonomike.
Duke marrë parasysh ndërlidhjen e ngushtë mes rezultateve në Raportin e të Bërit Biznes me prosperitetin e përgjithshëm ekonomik, luftimin e korrupsionit dhe përmirësimin e qeverisjes, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Qeveria e Kosovës do të vazhdojnë ti kushtojnë vëmendje të veçantë reformave që ndërlidhen me këtë raport.
Vlen të theksohet se Raporti për të Bërit Biznes për vitin 2016 është përgatitur duke inkorporuar një sërë ndryshimesh metodologjike, të cilat kanë ndryshuar në mënyrë retroaktive rangimin e shteteve të ndryshme në këtë raport.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Qeveria e Kosovës janë të vetëdijshme se përmirësimet e mëtutjeshme do të bëhen gjithnjë e më sfiduese pasi që konsiderojmë se tashmë jemi në një fazë kur përmirësimi i mjedisit afarist dhe rrjedhimisht edhe përmirësimi i rangimit në Raportin e të Bërit Biznes duhet të bëhet përmes promovimit dhe zbatimit rigoroz të ndryshimeve strukturore dhe ndryshimeve në punën e përditshme të institucioneve qeveritare në mënyrë që të sigurohet qëndrueshmëria e reformave të bëra në të kaluarën dhe suksesi i reformave që do të bëhen në të ardhmen.
Vëmendje e veçantë gjatë periudhës në vazhdim gjithashtu do ti kushtohet koordinimit të reformave midis institucioneve të ndryshme qeveritare në bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat, përmes mekanizmave ekzistues sikurse Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik por edhe duke rritur gjithnjë e më shumë pjesëmarrjen e sektorit privat në procesin e zhvillimit të politikave ekonomike që zhvillohet nga institucionet qeveritare.
Koordinimi i reformave, aktiviteteve dhe iniciativave konsiderojmë se është një ndër faktorët kyç për të siguruar që të gjitha aktivitetet dhe iniciativat e institucioneve të ndryshme qeveritare janë në funksion të zbatimit të agjendës së përgjithshme të zhvillimit ekonomik të Qeverisë që ka qenë dhe vazhdon të jetë zhvillimi i shpejtë dhe i qëndrueshëm ekonomik përmes zhvillimit të sektorit privat.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Qeveria e Kosovës inkurajojnë qytetarët të marrin pjesë në anketat e të Bërit Biznes nga Banka Botërore që janë burim i rëndësishëm i informacionit gjatë përgatitjes së Raportit për të Bërit Biznes, në mënyrë që të rritet sasia dhe cilësia e informatave në dispozicion të Bankës Botërore gjatë përgatitjes së Raportit për të Bërit Biznes në vitet e ardhshme.
Për informata të detajuara, gjeni të bashkangjitur një prezantim tabelar të rangimit të Kosovës dhe të vendeve të rajonit në bazë të indikatorëve kryesor.