MINT vendos çmimet maksimale të lejuara për derivate të naftës
Prishtinë, 27 qershor - Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) përcaktoi të hënën çmimet maksimale të lejuara për derivate të naftës në vend, disa ditë pasi qeveria miratoi udhëzimin administrativ për rregullimin e çmimeve të derivateve të naftës dhe karburanteve të ripërtëritshme.
Sipas vendimit, çmimi maksimal për një litër naftë është vendosur 1.85 euro, për benzinën 1.74 euro dhe për gazin, 0.78 centë.
“Çmimet vlejnë nga ora dhjetë e datës 27 qershor dhe janë të vlefshme 24 orë”, thuhet në vendim.
Kosova po përballet me ngritje të çmimit të naftës si pjesë e një vale të re çmimesh në tregjet e naftës dhe gazit në tërë botën, për shkak të agresionit rus në Ukrainë. Rusia është një prej eksportuesve më të mëdhenj të naftës dhe gazit në tregun botëror.
Qytetarët thonë se çmimet e reja kanë vështirësuar në masë të madhe jetën e tyre.
“Janë shpenzime të përditshme, gjëra të detyrueshme t’i shpenzosh për të funksionuar, cmimet thjesht janë dyfishuar dhe janë shpenzime tjera në të gjitha fushat që ndikojnë”, thotë Blerim Syla, banor i Prishtinës.
Partitë opozitare kanë kritikuar qeverinë e Kosovës për mënyrën e trajtimit të situatës së ngritjes së çmimeve, duke kërkuar ulje të akcizës për naftën si dhe të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, që të mundësohet ulja e çmimeve.
Qeveria e Kosovës e kundërshton një ide të tillë, ndërsa e arsyeton udhëzimin administrativ me mospërputhjen e çmimeve në Kosovë me lëvizjet në tregjet botërore.