22 Dhjetor 2024

MINT përgenjeshtron Insajderin për publikimin e një artikulli të pavërtetë

Prishtinë, 4 gusht - Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) reagon ndaj Gazetës “Insajderi.org”, e cila ka botuar dhe disa portale të tjera e kanë rishpërndarë një artikull të pavërtetë, që akuzon ministren e MINT Rozeta Hajdari për shkelje të ligjit lidhur me Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës (AMK).

Në shkrimin e “Insajderi.org”  pretendohet se ministrja Hajdari gjoja ka favorizuar një kompani të naftës, duke urdhëruar zyrtarët e AMK-së të verifikojnë mjetet matëse të kompanisë përkundër konfliktit të interesit. Artikulli ilustron pretendimet me pjesë nga letërkëmbimi zyrtar, por fsheh qëllimisht dhe me keqdashje pjesët e letërkëmbimit, që dëshmojnë korrektësinë e ministres Hajdari dhe nëpunësve të AMK-së.

Në rastin në fjalë, një operator ekonomik ka kërkuar verifikimin e mjeteve matëse të rrjedhës me kapacitet mbi njëmijë (1 mijë) litra në minutë.

Ndonëse AMK është i vetmi institucion që mund të verifikojë pajisjet e këtij kapaciteti në Republikën e Kosovës, ndërsa drejtori i përgjithshëm i në atë kohë, Ferki Fejza, ka ndaluar vartësit e tij të kryejnë shërbimin për gjoja konflikt interesi dhe ka sugjeruar që Kabineti i Ministres të gjejë zgjidhje.

Pasi vartësit kanë shprehur mospajtim dhe pasi z. Fejza ka dështuar të shpjegojë shkaqet, bazën juridike ose standardin ndërkombëtar që ndalon kryerjen e shërbimit, ministrja Hajdari ka udhëzuar AMK-ne të shqyrtojë kërkesën e palës.

Kjo rrjedhë e ngjarjes zbulohet saktë në letërkëmbimin e censuruar nga gazeta “Insajderi.org”. Autori i artikullit me dashakeqësi e ka fshehur të vërtetën dhe ka botuar gënjeshtrën, duke sulmuar padrejtësisht ministren Hajdari dhe duke hedhur baltë mbi punën e zyrtarëve të AMK-së.

Ferki Fejza muajin e kaluar është pezulluar nga detyra e drejtorit të përgjithshëm të AMK-së dhe më pas është larguar nga shërbimi civil për një varg shkeljesh të rënda, të elaboruara në vendimin e Këshillit Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë.

Që nga pezullimi, më pas shkarkimi i z. Fejza, puna e Agjencisë së Metrologjisë është bërë cak i lajmeve të rreme në disa media vendore.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë mbetet e gatshme të bashkëpunojë me media dhe gazetarë dhe t'u ndihmojë të përmbushin misionin e tyre profesional, por jo duke fshehur të vërtetën qëllimshëm dhe duke denigruar institucionin.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)