Ministrja Kusari Lila priti drejtorin e ri të Odës Amerikane
Prishtinë, 11 janar -Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari Lila priti sot drejtorin e sapoemëruar të Odës Ekonomike Amerikane (OEA), Visar Bajrën, ish drejtorin e kësaj ode, Lekë Musën, si dhe anëtarin e Bordit Udhëheqës për përzgjedhjen e Drejtorit të AmCham, Emmanuel Mitsou, njëherit drejtor i kompanisë Sharrcem.
Në vizitën e tij të parë të këtij niveli, një ditë pas emërimit në pozitën e drejtorit ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane, Bajra e njoftoi ministren Kusari Lila për planet e tij në detyrën e re. Ai u shpreh i gatshëm për rritjen e bashkëpunimit në të gjitha sferat dhe sidomos në kontributin të cilin OEA-së mund të japë në ngritjen e kapaciteteve për politikë-bërje.
Kurse Zv. kryeministrja Kusari-Lila e përgëzoi z. Bajra për pozitën e re dhe i uroi suksese. Në takimin njoftues ajo tha: Oda Ekonomike Amerikane është një urë lidhëse për bashkëpunim me investitorët e huaj dhe së bashkë me Agjencinë për Promovim të Investimeve jemi të gatshëm të vazhdojmë bashkëpunimin me shpresë që investimet e huaja në Kosovë të rriten.
Oda Ekonomike Amerikane nё Kosovë ёshtё organizata përmes të cilës liderët e biznesit kooperojnë për të fuqizuar klimën e biznesit të vendit dhe rritjen ekonomike drejt prosperitetit dhe integrimit Euro Atlantik.