08 Janar 2025

Ministrja Hykmete Bajrami priti studentë nga Diaspora

Prishtinë, 13 gusht  - Ministrja  e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami priti sot studentë nga Diaspora, të cilët i informoi për zhvillimet ekonomike në vend.

Fillimisht, ministrja Bajrami i njoftoi studentët për fushë-veprimtarinë dhe programet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në fushën e mbështetjes së sektorit privat si dhe rritjen dhe sigurinë e investimeve të jashtme për të ndikuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës. “Kemi programe të ndryshme për të stimuluar dhe përkrahur biznesin në përgjithësi. Po ashtu jemi duke ofruar siguri për investime të jashtme për të lehtësuar mundësitë për investime në Kosovë”, theksoi ministrja Bajrami para studentëve të Diasporës.

Ministrja Bajrami bëri të ditur para tyre se tashmë qeveria e Kosovës po punon për rehabilitimin e  Qendrës Turistike të Brezovicës, projekt ky që pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë lokale dhe në zhvillimet ekonomike të Kosovës në përgjithësi.

“Vetëm gjatë periudhës pesë-mujore ka pasur rritje të investimeve të jashtme në vlerë 151 milionë €, që në krahasim me periudhën e vitit paraprak, investimet e huaja kanë qenë 148 milionë € gjatë tërë vitit 2014”, sqaroi ministrja Bajrami.

Ministrja e MTI-së, Hykmete Bajrami, po ashtu i njoftoi të pranishmit se tashmë është funksionalizuar Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, që do të ndikojë në lehtësimin e afarizmit kosovar, duke i adresuar pengesat, sfidat dhe mundësitë lehtësuese tek institucionet relevante, për të krijuar mjedis afarist të mirëfilltë.

Ajo shtoi se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke ndihmuar biznesin përmes politikave nxitëse tregtare dhe industriale si dhe përmes projekteve të ndryshme, për të përmirësuar cilësinë e produkteve kosovare në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Në fund, studentët paraqitën interesimin e tyre për mundësitë dhe veprimet që po ndërmerren nga institucionet e Kosovës, konkretisht nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për zvogëlimin e deficitit tregtar të Kosovës, plasimin e produkteve kosovare në tregjet evropiane dhe për mundësitë për krijimin e kushteve për  investime të jashtme, që kanë për qëllim zhvillimin ekonomik të vendit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)