Ministrja Bajrami takoi Ambasadoren Jacobson
Prishtinë, 16 dhjetor - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Zonja Hikmete Bajrami takoi sot Ambasadoren e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson. Në takim morën pjesë edhe zotëri James Hope Drejtor i USAID-it për Kosovë dhe zotëri Cavan Fabris, zyrtar për Ekonomi dhe Tregti në Ambasadën e SHBA-ve në Kosovë.
Ministrja Bajrami e falënderoi Ambasadoren Jacobson për përkrahjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ofruar Republikës së Kosovës. Ajo po ashtu falënderoi USAID-in për përkrahjen e jashtëzakonshme që ka ofruar për përmirësimin e shumë fushave dhe sektorëve që janë nën përgjegjësinë e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Ministrja Bajrami e informoi Ambasadoren Jacobson me prioritetet e Ministrisë, përkrahjen për zhvillimin e sektorit privat, përfshirë përmirësimin e klimës së biznesit, avancimin e politikave tregtare, përmirësimin e lëvizjes së lirë të mallrave dhe rregullimin e tregut të brendshëm. Ajo theksoi që megjithëse janë ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm, ka ende shumë punë për të bërë dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të ketë nevojë për përkrahje dhe koordinim të vazhdueshëm me të gjithë partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë.
Ambasadorja Jacobson i uroi Ministres Bajrami detyrën e re. Ajo konfirmoi përkrahjen e SHBA-ve për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë përmes projekteve specifike që fokusohen në përmirësimin e klimës së biznesit, ndihmën e bizneseve për një qasje më të mirë në financa dhe përkrahjen për angazhimet e qeverisë për luftën kundër korrupsionit dhe ekonomisë joformale.
Ministrja Bajrami dhe Ambasadorja Jacobson diskutuan po ashtu edhe për angazhimin e Ministrisë për riaktivizimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik si dhe për projekte të rëndësishme që përkrahen nga USAID, si projekti zhvillimor i Brezovicës dhe projekti Empower.