Ministrja Bajrami takoi ambasadoren gjermane Angelika Viets
Prishtinë, 27 janar - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, e priti ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë, znj. Angelika Viets, ku përveç njoftimit me punën e deritashme të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe aktiviteteve të mëtejshme, u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fusha të ndryshme me interes reciprok.
Ministrja Bajrami e ka vlerësuar rolin e Gjermanisë për progresin e gjithanshëm në Kosovë dhe ka theksuar gatishmërinë e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për të vazhduar bashkëpunim në fushën e zhvillimit ekonomik dhe ruajtjen e raporteve të shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve.
Po ashtu, ministrja Bajrami e informoi ambasadoren Viets edhe me prioritetet dhe objektivat strategjike të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, përkrahjen në zhvillimin e sektorit privat, përfshirë përmirësimin e klimës së biznesit, avancimin e politikave tregtare, përmirësimin e lëvizjes së lirë të mallrave dhe inkurajimin e afaristëve të huaj për të investuar në Kosovë.
Ambasadorja gjermane, Angelika Viets, shprehu gatishmërinë që të ndihmojë perpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të luftuar ekonominv joformale dhe korrupsionin si parakushte për terheqjen e investimeve të jashtme.
Ministrja Bajrami dhe ambasadorja Viets ranë dakord që të vazhdojë edhe më tej kooperimi për ti identifikuar të gjitha fushat e mundshme të bashkëpunimit në të mirë të Kosovës dhe Gjermanisë.