Ministrja Bajrami në Forumin Botëror të Investitorëve Engjëj
Stamboll, 13 shkurt - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, po merr pjesë në Forumin Botëror të Investitorëve Engjëj (WBAF 2017) që po mbahet në Stamboll të Turqisë.
Në këtë forum po marrin pjesë rreth 450 investitorë nga 54 vende të botës, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore, asociacioneve të biznesit nga gjithë bota.
Znj. Bajrami ishte moderuese e njërit nga panelet më të rëndësishme të këtij forumi ku u diskutua rreth krijimit të politikave inovative dhe instrumenteve financiare në të mirë të fuqizimit të NVM-ve qoftë në fazën fillestare e deri tek rritja dhe fuqizimi i tyre.
Ministrja Bajrami në adresimin e saj theksoi se NVM-të përbëjnë rreth 90 % të totalit të ndërmarrjeve në nivel botëror dhe janë bartëset kryesore të vendeve të punës. Megjithatë, qasja në financa është një nga vështirësitë kryesore për ndërmarrjet e reja të cilat kanë ide dhe projekte inovative, mirëpo e kanë të vështirë të gjejnë financim adekuat për jetësimin e projekteve të tyre.
Znj. Bajrami tha se duhet ta intensifikojmë bashkëpunimin në nivel ndërkombëtar për të gjetur qasje kreative në mënyrë që të mbyllim këtë zbrazëti lidhur me qasjen në financa për NVM-të të cilat deri tani kanë pasur vështirësi ose e kanë pasur pothuaj të pamundur qasjen në financa përmes sistemit tradicional bankar. Është shumë e rëndësishme që së bashku, institucionet qeveritare dhe ato private të eksplorojnë mundësi me qëllim të gjetjes së instrumenteve alternative për adresimin e kësaj sfide e cila, vazhdoi ministrja, do të ofronte mundësi që projektet inovative të marrin formë si biznese të suksesshme duke krijuar vende të reja pune dhe vlerë të shtuar ekonomike.
Ministrja Bajrami theksoi se është inkurajuese që rrjeti i investitorëve engjëj po konsolidohet çdo ditë e më shumë, dhe me këtë rast, ajo u bëri thirrje investitorëve që të vijnë në Kosovë sepse vendi ynë ka potencial dhe parakushte optimale për zhvillimin e projekteve, sidomos nga fusha e teknologjisë informative por edhe në sektorë tjerë, tha ajo.
Në margjina të konferencës, ministrja Bajrami po zhvillon takime bilaterale me udhëheqës të lartë institucionesh dhe biznesesh të rëndësishme ndërkombëtare.