07 Janar 2025

Ministrja Bajrami informon bizneset e rajonit të Ferizajt

Prishtinë, 27 tetor - Në kuadër të “Ditëve të Biznesit”, përfaqësues të bizneseve të rajoni të Ferizajt u informuan rreth shërbimeve që ofrojnë institucionet qeveritare për  krijimin e lehtësirave dhe mundësive investuese në fushën e ndërmarrësisë.

Këto konferenca informuese për biznesin është duke i organizuar Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me komunat e Kosovës, ku bizneset po informohen rreth nismave lehtësuese  që po bëhen për biznesin dhe njëkohësisht po merren parasysh edhe barrierat me të cilat po ballafaqohet komuniteti i biznesit.

Hykmete Bajrami, ministre e Tregtisë dhe Industrisë, para të pranishmëve shprehu mbështetjen e vazhdueshme që do ta kenë bizneset nga institucioni të cilin ajo e drejton si  dhe nga institucionet tjera qeveritare në zhvillimin e ndërmarrësisë që do të ndikojë edhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.

Ajo i përmendi edhe të arriturat e Qeverisë së Kosovës gjatë kësaj periudhe qeverisjeje, duke potencuar se janë ndërmarrë hapa konkretë për të institucionalizuar dialogun publiko privat.
 
Ajo potencoi se së shpejti bizneset do të kenë mundësi të lirimit në tatimin në fitim për periudha të caktuara përmes pushimeve tatimore, që pritet të implementohet së shpejti. Njëkohesisht ajo i njoftoi edhe rreth pakos së re fiskale, që ka hyrë në fuqi që nga shtatori, ku bizneset tani vec janë duke i ndierë efektet e saj. 

Ministrja Bajrami, bëri të ditur edhe për ndryshimin e Ligjit për marka tregtare dhe patenta i cili do t’u mundësojë bizneseve përshpejtimin dhe lehtësimin e procedurave të kërkesave të bizneseve . 

“Përmes Fondit të Garantimit të Kredive, bizneset do të kenë qasje më të lehtë në financa dhe do të ketë ndikim në përmirësimin e infrastrukturës së kredive, duke garantuar 50 për qind të ekspozimit të rrezikut” tha ajo.

Në mes tjerash, ministrja Bajrami informoi të pranishmit se tashmë është finalizuar Draft-ligji për Investime Strategjike, i cili është në interes strategjik për investime të reja në Kosovë.

“Përmes këtij ligji do të përcaktohen fushat e zhvillimit strategjik të Kosovës dhe do të thjeshtëzohen procedurat për investime. Njëkohësisht do të mundësohet negocimi i drejtëpërdrejtë i qeverisë me investitorët strategjikë për sjelljen investime të reja në Kosovë”,  theksoi Bajrami.

Ministrja sqaroi para përfaqësuesve të komunitetit të biznesit se po punohet në projektin e unifikimit të numrave të ndryshëm të biznesit, në një numër të vetëm, që do të aplikohet në të gjitha procedurat e aktivitetit biznesor. “Luftimi i ekonomisë informale dhe invazionit fiskal, rritja e fiskalizimit të bizneseve dhe krijimi i një konkurrence të mirëfilltë në ekonomi janë disa nga hapat që janë ndërmarrë dhe që po vazhdohet me këtë ritëm nga insitucionet qeveritare për krijimin e një tregu të mirëfilltë në Kosovë”, potencoi Bajrami.

Ajo po ashtu informoi rreth koordinimit të Qeverisë dhe KEDS-it në ngritjen e kapaciteteve energjetike për t’u mundësuar zhvillim normal të aktivitetit të bizneseve.

Ministrja Bajrami ua përkujtojë bizneseve se është funksionalizuar Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës, që është një platformë e rëndësishme për adresimin e barrierave dhe halleve të bizneseve dhe se në kuadër të këtij këshilli janë funksionalizuar katër grupe që udhëhiqen nga ministritë e linjës për t’i shqyrtuar dhe adresuar kërkesat e bizneseve.

“Në takimin me kryetarin e Komunës së Ferizajt Muharrem Sfarca, kemi biseduar rreth themelimit të zonave industriale që do të ndikojë dukshëm në zhvillimin e kësaj komune”, citoi ajo.

Ajo ritheksoi se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë  do të jetë gjithherë derë e hapur e adresimit të barrierave të bizneseve dhe njëkohësisht falenderoi donatorët që në vazhdimësi mbështesin projektet e ministrisë.

Në fund të konferencës u shpallë  ndërmarrja më e suksesshme në rajonin e Ferizajt, kompania “Toni” sh.p.k., që merret me prodhime ushqimore.

Pas konferencës, ministrja vizitoi ndërmarrjet e rajonit të Ferizajt: kompaninë “Ferplast”, që merret me prodhimin e pllakëzave të plastikës, fletëzave, tubave dhe profileve dhe kompaninë “Primoil”, fabrika e vajrave motorike dhe industriale primoil

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)