Ministrja Bajrami hapi panairin Gratë në biznes 2015
Prishtinë, 3 dhjetor - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, në Sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë, hapi panairin treditor Gratë në Biznes 2015, organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) në bashkëpunim me OJQ-në Gratë në Biznes dhe OJQ-të SHE ERA dhe Dera e Hapur.
Ministrja Bajrami në hapje të panairit iu drejtua grave pjesëmarrëse si heroina të komunitetit të biznesit, duke marrë parasysh të gjitha sakrificat, përgjegjësitë për të bërë biznes si dhe për aktivitetet tjera që i kanë në familje.
Më tej, ministrja shpalosi disa programe konkrete që ka Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për favorizimin dhe fuqizimin e gruas ndërmarrëse në biznes, duke mundësuar perspektivë në shoqëri përgjithësisht.
Ajo ritheksoi se tashmë pritet që shumë shpejt të ratifikohet në Kuvend Ligji për Fondin për Garanci Kreditore, i cili në masë të madhe do të adresojë një nga barrierat kryesore të grave në biznes, që është qasja në financa.
Ky fond do të ketë një kapital fillestar prej 18 milionë euro, i cili do të mbulojë 50 për qind të ekspozimit të rrezikut, me çrast shpresojmë se bankat komerciale do të ulin edhe normat e interesit, theksoi ministrja Bajrami.
Ajo më tej shtoi se Akti Evropian për Biznes të Vogël na obligon që ta krijojmë një strategji gjithëpërfshirëse për rolin dhe për fuqizimin e gruas ndërmarrëse për programe të veçanta për trajnime, dhe implementimi i këtij Akti është njëri nga qëllimet tona.
Mu për këtë, në kuadër të Këshillit Kombëtarë për Zhvillim Ekonomik, kemi formuar një nëngrup të veçantë të punës, që do të merret vetëm me implementimin e plotë të Aktit Evropian për Biznes të Vogël, potencoi ministrja.
Ajo bëri të ditur se me Skemën Voucher të Këshillimeve për ndërmarrësi, ndërmarrëset gra janë të favorizuara me 10 pikë, ndërsa nëse biznesi ka ndikim në punësimin e grave, atëherë vlerësohet edhe me 10 pikë tjera.
Vlen të përmendet se që nga fillimi i Skemës Voucher të Këshillimeve mbi 25 % të përfituesve në total janë gra ndërmarrëse.
Ministrja pohoi se po punohet që të krijohen politika favorizuese për gratë ndërmarrëse, gjë që dëshmon edhe organizimi i këtij panairi, që në fakt është komplet në linjë me qëllimet strategjike të Qeverisë së Kosovës.
Në fund, ministrja Bajrami, duke u uruar suksese grave ndërmarrëse i ftoi qyetarët që të vizitojnë produktet e grave ndërmarrëse:
Shpresoj se ky panair do të rrisë vlerën e produkteve tuaja dhe njëkohësisht shpresojmë se para një audience do të keni mundësi ti ekspozoni produktet tuaja. U bëjmë thirrje të gjithë qyetarëve të Republikës së Kosovës që të vijnë sot e ti prekin, ti shijojnë produktet tuaja, të punuara me shumë delikatesë, dashuri dhe shije, përfundoi ministrja.