Ministrja Ahmetaj informon kabinetin qeveritar për zbatimin e MSA-së
Prishtinë, 19 prill - Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar u informua për takimin e Nën Komitetit të MSA-së për Tregti, Industri, Dogana dhe Tatime ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian.
Në këtë takim, i mbajtur më 6 prill 2017 është diskutuar progresi për zbatimin e MSA-së dhe reformave, përfshirë edhe konkluzionet e vitit të kaluar, sfidat dhe janë dakorduar masat që duhet marrë në muajt në vijim në një varg sektorësh, që nga tregtia, industria, doganat, tatimet dhe lëvizja e lirë e mallrave.
Në informatën para kabinetit qeveritar, ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj tha se është diskutuar edhe për masat prioritare të agjendës së reformave evropiane dhe programit të reformave ekonomike për këta sektorë.
Në sektorin e tregtisë janë diskutuar zhvillimet e fundit sa i përket kornizës legjislative, implementimit të MSA-së, nënshkëmbimet tregtare dhe zbatimit të CEFTA-s. Pjesë e diskutimit ishte edhe marrëveshja e tregtisë së lirë me Turqinë\", ka thënë ministrja Ahmetaj.
Komisioni njoftoi se është duke shqyrtuar mundësitë më të mira për përmirësimin e zbatimit të konventës regjionale Pan Euromed për rregullat e origjinës, si një nga konventat që del nga MSA-ja për tregtinë me BE-në.
Në fushën e Doganës sipas saj është diskutuar mbledhja e të hyrave nga dogana dhe implikimet fiskale të zbatimit të MSA-së. Komisioni Evropian përshëndeti progresin e bërë nga Dogana sa i përket luftimit të kontrabandës dhe korrupsionit, si dhe masat që Dogana ka ndërmarrë për lehtësimin e tregtisë, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe kapaciteteve administrative.
\"Është kërkuar nga institucionet tona që të ruhen praktikat e mira gjatë bashkimit të Doganës dhe ATK-së. Ndërsa në fushën e tatimeve, është diskutuar zhvillimi institucional, përfshirë ndryshimet në politikat tatimore, bashkimin në një agjenci të të hyrave dhe sistemin e teknologjisë informative.\"
Një nga pikat më të rëndësishme, ka qenë edhe luftimi i ekonomisë joformale, ku është diskutuar zbatimi i strategjisë për parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale, përfshirë edhe monitorimin dhe raportimin, si dhe rishikimin e planit të veprimit për të adresuar sektorët me potencial më të lartë rreziku.
Sa i përket politikave të industrisë dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, është folur për zhvillimet legjislative dhe ato të politikave kryesore industriale.
Në fokus ishin legjislacioni për shoqëri tregtare, për falimentimet, për zonat ekonomike dhe çështjet që janë pjesë e reformave të programeve ekonomike dhe Agjendës Evropiane të Reformave që kanë të bëjnë me përmirësimin e ambientit të të bërit biznes.
Në fushën e lëvizjes së lirë të mallrave, është diskutuar për zhvillimet sa i përket infrastrukturës së cilësisë, përfshirë edhe kornizën ligjore për standardizimin, metrologjinë, inspektimet e përgjithshme, kërkesat teknike dhe vlerësimin e konformitetit.
Në veçanti, në këtë fushë është me rëndësi harmonizimi me direktivat dhe rregulloret e BE-së dhe kapacitetet industriale, marrë parasysh që kjo fushë është e rëndësisë primare për zbatimin e MSA-së në tregti me Bashkimin Evropian.
\"Konkluzionet zyrtare hartohen dhe dakordohen mes palëve bazuar në diskutimet në takim dhe propozimet e Komisionit Evropian. Pjesë e konkluzioneve janë edhe masat e veprimit që vendi jonë duhet të realizojë në periudhën e ardhshme njëvjeçare në kuadër të zbatimit të MSA-së dhe agjendës evropiane, tha ministrja Ahmetaj.