30 Tetor 2024

Ministria kontraktoi ndërtimin e shtëpive për 832 mijë euro më shtrenjtë se çmimet e tregut

Prishtinë, 13 korrik - Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Ekonomiciteti  dhe efikasiteti në ndërtimin e shtëpive për të kthyerit”.

Objektivë e këtij auditimi ishte të vlerësojmë nëse Ministria për Komunitete dhe Kthim (MKK) ka arritur të kontraktojë ndërtimin e shtëpive për të kthyerit me çmime të arsyeshme duke u bazuar në analiza paraprake të mirëfillta.

Po ashtu, ky auditim ka vlerësuar nëse këto shtëpi janë ndërtuar plotësisht, nëse ndërtimi është bërë brenda afateve kohore sipas planit dhe limiteve buxhetore.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka audituar kontratat për ndërtimin e shtëpive për periudhën 2017-2022, në vlerë prej mbi 8.2 milionë euro dhe auditimi përfshinë vlerësimin e nevojave, përcaktimin e vlerës së parashikuar të kontratës, arritjen e ekonomisë gjatë kontraktimit dhe ndërtimit të shtëpive dhe efikasitetin në përmbushjen e këtyre kontratave. Subjekt i këtij auditimi është Ministria për Komunitete dhe Kthim.

Auditimi ka konstatuar se Ministria për Komunitete dhe Kthim nuk ishte ekonomike në kontraktimin e ndërtimit të shtëpive.

Mangësitë ishin evidente nga faza e vlerësimit dhe arsyeshmërisë së  nevojave dhe  hulumtimi i çmimeve të tregut.

Ministria kishte filluar procedurat e prokurimit pa pasur informacionet e duhura për përfituesit dhe statusin e tyre të banimit.

Praktika e tillë ishte përsëritur edhe në kontratën e dytë pavarësisht problemeve të hasura në kontratën e parë.

Ministria ka kontraktuar ndërtimin e shtëpive për 832,033 euro më shtrenjtë se sa çmimet e tregut, kjo vetëm duke krahasuar së paku me çmimet e Administratës Tatimore të Kosovës.

Ministria kishte ndërtuar shtëpi jashtë planit të përcaktuar në projektin kryesor duke ndërtuar edhe shtëpi të cilat në dukje kanë specifika tjera. Kishte dallime të konsiderueshme ndërmjet pozicioneve të kontraktuara për ndërtimin e shtëpive dhe pozicioneve që aktualisht ishin përdorur gjatë ndërtimit të shtëpive.

Progresi i Ministrisë në përmbushjen e kontratës së dytë për ndërtimin e shtëpive ishte dukshëm më i ngadalshëm se sa ishte planifikuar. Me këtë kontratë ishte planifikuar që brenda tri viteve të ndërtoheshin 150 shtëpi, ndërsa për 29 muaj (2.4 vite) ishin ndërtuar vetëm 26 shtëpi.

Ministria nuk ishte ekonomike në ndërtimin e shtëpive për të kthyerit sepse nuk kishte bërë vlerësim të duhur të nevojave, si në aspektin e pozicioneve të nevojshme ashtu edhe në numrin e shtëpive që do të ndërtohen.

Po ashtu, Ministria nuk ka kryer hulumtimin e duhur të çmimeve të tregut dhe nuk ka arritur të përcaktojë vlerën e parashikuar të kontratës në mënyrë të duhur.

Ministria kishte kontraktuar ndërtimin e shtëpive për 4.4 milionë euro për kontratën e parë dhe 3.8 milionë euro për kontratën e dytë. Mirëpo, nëse Ministria do t'i kishte përfshirë vetëm pozicionet që janë shfrytëzuar realisht, mund t'i kontraktonte ato për 2.4 milionë euro dhe 2.1 milionë euro.

Për më tepër, pozicionet e papërdorura kishin çmime dukshëm më të ulëta, pavarësisht se shërbenin për të njëjtin qëllim (p.sh. materiale izoluese, dyer dhe dritare).

Mangësi kishte edhe menaxhimi i kontratave sepse nuk ka plane dinamike për secilën shtëpi dhe ndryshimet në pozicione nuk ishin evidentuar.

Kombinimi i ndërtimeve jashtë planeve sipas projekteve kryesore, mospërputhjet në pozicione, pagesat për punët e papërfunduara dhe progresi i ngadaltë në përmbushjen e kontratës së dytë janë ndër gjetjet kryesore që i kanë kontribuar Ministrisë për të mos siguruar strehim adekuat për të kthyerit.  
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)