Ministri Shala dhe ambasadori turk dakordohen për thellim bashkëpunimit
Prishtinë, 6 mars - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka pritur në takim ambasadorin e ri të Turqisë në Kosovë, Çagrı Sakar, me të cilin biseduan për thellimin e bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve.
Ministri Shala tha se ministria që drejton është bartëse e zbatimit të Ligjit për Investime Strategjike, duke theksuar se ligj krijon shumë lehtësira për investitorët potencial.
“Kemi disa kompani turke që janë të interesuara për të investuar në Kosovë në fushën e energjisë së ripërtritshme, dhe për Republikën e Kosovës çdo investim nga shteti i Turqisë është i mirëseardhur. Dua t’iu garantoj për përkushtimin tim që investitorët nga Turqia do t’i kenë të gjitha lehtësirat që ligji i mundëson”, tha ministri Shala.
Shala theksoi se për Kosovën është e rëndësishme bashkëpunimi me Turqinë, duke shtuar se shumë kompani turke kanë investuar në Kosovë dhe janë treguar të suksesshme.
Ndërsa ambasadori i Turqisë në Prishtinë theksoi se Kosova është vend i rëndësishëm dhe kanë marrëdhënie të shkëlqyera.
“Dëshiroj të theksoi se për ne është e rëndësishme thellimi i bashkëpunimit dhe besoj që MTI luan një rolë të rëndësishëm në këtë bashkëpunim”, tha ambasadori.