31 Maj 2023

Ministri Peci fton gastronomët e mërgatës ta vizitojnë panairin në Dusseldorf

Prishtinë, 20 mars - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, mori pjesë në Panairin tradicional të Verës dhe Pijeve Alkoolike “ProWein”, i cili po mbahet në Dusseldorf të Gjermanisë, e në të cilin prodhimet e tyre po i ekspozojnë edhe disa biznese vendore prodhuese të verës siç janë: Bodrumi i Vjetër, Stone Castle, Labi Wine, Verari Suhareka dhe Biopak.

Me këtë rast, Ministri Peci u shpreh se mërgata kosovare ka gastronom të suksesshëm në gjithë Evropën, të cilët edhe numërojnë qindra restorane me renome.

“Duke u nisur nga kjo, ju bëj thirrje të gjithë gastronomëve që ta vizitojnë Panairin e Verës dhe Pijeve Alkoolike “ProWein” në Dusseldorf që njihet si panairi më i madh në Evropë i këtij lloji, pasi në këtë mënyrë krijojmë mundësi të reja për prodhuesit tanë drejt eksportit, ndërsa gastronomët përveç se do kenë verë cilësore në restorantet e tyre, do kenë dhe një pjesë të traditës që tua prezantojnë klientëve”, tha me këtë rast Ministri Peci.

Ministri i BPZhR-së, Faton Peci, përgëzoi prodhuesit tanë për punën dhe angazhimin e tyre drejt zhvillimit të mëtutjeshëm të sektorit të verëtarisë në Kosovë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 31 maj 2023

- Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor RYCO në partneritet me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës dhe Deutsche Welle, mbajnë konferencën përmbyllëse të ciklit të dytë të programit “Transmetuesit e Paqes: Fuqizimi i gazetarëve të rinj si raportues të paqes”. (Salla e Konferencave “Orion”, ora 9:30)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton Projektëligjin për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike shënon Ditën Botërore pa Duhan me moton “Ne kemi nevojë për ushqim, jo për duhan”. (Ndërtesa e Institutit, ora 10:00)

- Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” do të ndërmarrë aksion për shkyçje në tri objekte banesore në Prishtinë. (Nisja e organizuar nga objekti i KRU “Prishtina”, Emshir, ora 10:30)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla salla C 301, ora 11:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, raporton në Komisionin për Integrim Evropian. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton Raportin e auditimit për pasqyrat vjetore financiare, të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2022. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:30)

- Promovohet libri "E vërteta e aktorit" e autorit Naim Berisha. (Amfiteatri i Bibliotekes Kombëtare, ora 12:00)

- Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, mban konferencë për medie lidhur me situatën aktuale në veri. (Selia e LDK-së te Qafa, ora 13:30)