Ministri Hoti nënshkruan Rregulloren për Financimin e OJQ-ve
Prishtinë, 13 qershor - Pas një punë gati dyvjeçare në draftimin e saj, sot është nënshkruar Rregullorja MF-NR. 04/2017 mbi Kriteret, Standardet dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve, nga ana e Ministrit të Financave Avdullah Hoti.
Kjo Rregullore përcakton kriteret, standardet dhe procedurat themelore për financimin publik të organizatave jo-qeveritare, me qëllim të vendosjes së një sistemi transparent dhe llogaridhënës për financimin me fonde publike të programeve dhe projekteve të OJQ-ve që janë të interesit publik në Republikën e Kosovës.
Me hyrjen në fuqi të kësaj Rregulloreje, procedurat e financimit të OJQ-ve do të jenë unike dhe do të krijohen mekanizmat e duhur të raportimit, e cila do të rezultojë në përmirësimin e nivelit të llogaridhënies dhe transparencës gjatë harxhimit të parasë publike.
Vlen të theksohet se kjo Rregullore është punuar nga një ekip, pjesë e të cilës kanë qenë edhe përfaqësues nga shoqëria civile, dhe gjatë procesit të hartimit janë konsultuar të gjitha palët e interesit, nëpërmjet mekanizmave të Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunimin me Shoqërinë Civile, dhe nëpërmjet mekanizmave tjerë të konsultimit publik.